10-12-2024

Shpallet i pafajshëm prokurori i suspenduar i Prizrenit, Bajram Hamitaga

Prokurori tashmë i suspenduar i Prokurorisë Themelore në Prizren, Bajram Hamitaga të hënën është liruar nga akuza për keqpërdorim të detyrës zyrtare.

Aktgjykim lirues u shpall edhe ndaj të akuzuarit Luan Delili, njëherësh shofer i prokurorit të suspenduar, i akuzuar për veprën penale “frikësim gjatë procedurës penale”.

Sipas aktgjykimit të shpallur nga gjykatësi i Gjykatës Themelore në Gjilan, Aziz Shaqiri nuk ka prova të mjaftueshme se të akuzuarit kanë kryer veprat penale me të cilat ngarkoheshin.

“Trupi gjykues i ka analizuar në mënyrë të detajuar të gjitha provat, mirëpo duke pasur parasysh standardin e të drejtës penale evropiane, e ai standard ka të bëj me vërtetim përtej dyshimit të bazuar mirë, standard shumë i lartë për sigurinë juridike të qytetarëve. Në situata të tilla duhet pasur shumë kujdes për të pandehurit që punojnë në vende shumë të veçanta edhe me rastin e ngritjes së aktakuzës edhe me rastin aktgjykimit”, deklaroi gjykatësi Shaqiri në arsyetimin e shkurtër pas shpalljes së vendimit.

Sipas Shaqirit, trupi gjykues vendos në bazë të provave të shqyrtuara në gjykatë, e jo nga ato të opinionit publik.

“Çështja e kositjes dhe çadrës ka ardhë në dilemë fakti vendimtar se kur ka ndodhë riparimi dhe dorëzimi i çadrës, në këto rrethana gjykata ka shku në parimin “in dubio pro reo”, apo në favor te të pandehurit”, tha ai.

Ndërsa për të pandehurin Delili, sipas Gjykatës as që ka ardhur në shprehje kryerja e veprës penale.

Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 26 shtator 2016, Bajram Hamitaga sa ka qenë duke e hetuar dhe zhvilluar procedurën penale, ku si i pandehur ka qenë tani i dëmtuari Granit Paçarizi si dhe disa të pandehur të tjerë, është takuar disa herë me familjarët e Paçarizit.

Prokurori Hamitaga, akuzohet se nga muaji korrik i vitit 2013 deri më 22 janar 2015 nuk i ka përmbushur detyrat zyrtare, me qëllim që të përfitoi dobi pasurore për vete dhe djalin e tij.

Gjatë kësaj periudhe sipas prokurorisë, derisa Paçarizi ka qenë në masën e paraburgimit dhe masën e arrestit shtëpiak, i pandehuri Hamitaga, pa pagesë ka rregulluar dy herë kosën për prerjen e barit si dhe nga ata ka marrë një çadër në fermën e prindit të Paçarizit.

Tutje, në aktakuzë thuhet se Hamitaga, familjarëve të Paçarizit iu kishte thënë “qe një kohë djalin e kam të sëmurë dhe kam dashur me ua kërku 5.000 euro nga ju, e di që nuk me kishit kthyer, por shkaku i këtij rasti, nuk kam mundur të ju kërkoj para hua”.

Të gjitha këto veprime, i pandehuri Hamitaga, supozohet se i kishte kryer gjatë zhvillimit të hetimeve, ku Granit Paçarizi akuzohej për veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll dhe posedim të paautorizuar të armëve”.

Ndërkaq, shoferi i tij Luan Delili, më 8 prill 2016, duke premtuar, kishte nxitur një person që të tërhiqej nga dhënia e disa deklaratave, ku kishte thënë se prokurori Bajram Hamitaga, ia kishte kërkuar 5.000 euro nga disa persona për të kryer një çështje.

Konkretisht, prokurori Bajram Hamitaga akuzohet për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, ndërsa Luan Delili për veprën penale “frikësimi gjatë procedurës penale”./betimiperdrejtesi/

Asnjë koment

Comments are closed.