20-04-2024

Shtatë mësimdhënës kërkojnë mbi 7 mijë euro kompensim nga Komuna e Rahovecit

Mësimdhënësit e shkollës “Sadedin Hajda”, Alirizaja Zllanoga, Azize Kadiri, Hysnije Sylka, Hilmi Haxhimustafa, Muradije Shehu, Hakide Haxhidauti dhe Skender Gashi, përmes përfaqësuesit të tyre, avokatit Ilir Ruvoga, kërkuan mbi 7 mijë euro nga Komuna e Rahovecit, kompensim për shpenzimet e udhëtimit dhe shujtave për ushqim, të cilat pretendojnë se iu takojnë me kontratën kolektive.

Kjo kërkesë u bë të hënën në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec, ku ka përfunduar procedura civile, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në shqyrtimin kryesor të mbajtur të hënën, përfaqësuesi i paditësve, avokati Ilir Rogova, ka kërkuar nga gjykata që padia dhe kërkesa e tij, të aprovohet si e bazuar, si dhe të detyrohet e paditura që paditësve t’ua kompensojë shpenzimet e shujtave ushqimore dhe shpenzimet e udhëtimit të paraparë me Kontratën Kolektive.

Paraprakisht i njëjti ka njoftuar gjykatën se me parashtresën e datës 28 shtator 2021 ka bërë edhe zgjerimin e kërkesëpadisë në aspektin objektiv.

“Me padinë burimore është thënë se paditësit kanë punuar për 494 ditë pune, tani në këtë fazë të procedurës e bëjmë zgjerimin për 634 ditë pune. Po ashtu, bëjmë tërheqjen e padisë vetëm në raport për shpenzimet e udhëtimit për paditësin Skender Gashi, por vazhdojmë të kërkojmë kompensimin për shujta, ndërsa për paditësen Hakide Haxhimurati përveç shpenzimeve të shujtës kërkojmë edhe shpenzimet e udhëtimit”, tha avokati Rogova.

Në anën tjetër, përfaqësuesi i të paditurës Bilbil Oruqi, e ka kundërshtuar në tërësi padinë e paditëses dhe ka kërkuar nga gjykata që e njëjta të refuzohet si e pabazuar.

Tutje, Oruqi, ka pretenduar se Komuna e Rahovecit nuk ka obligim ndaj paditësve, me arsyetimin se të njëjtës i mungon legjitimiteti real pasiv, pasi që nuk është nënshkruese e Kontratës Kolektive të Arsimit, por sipas tij këtë kontratë e ka nënshkruar MASHTI dhe SBASHK-u.

“Mbrojtja e të paditurës është në përputhje me përgjigjen e DKA-së, këtu paditësja në parim e pranon të drejtën e mësimdhënësve për shfrytëzimin e ushqimit dhe të udhëtimit por që në mungesë të mjeteve të cilat nuk janë alokuar, të paditurës, në kuptim të dispozitave të nenit 46 të kontratës kolektive, e njëjta respektivisht dispozitat që kanë implikime financiare kanë mbetur të pazbatuara”, tha Oruqi.

Ai po ashtu ka kundërshtuar zgjerimin e kërkesës së paditësve për shujta dhe shpenzime të udhëtimit për vitin 2020-2021 për shkak se sipas tij, në bazë të neni 45, Kontrata  Kolektive e Arsimit e vitit 2017, ka qenë në fuqi tri vite.

“Komuna e Rahovecit thekson se padia e paditësve për kompensimin e ushqimit dhe udhëtimit për vitin 2020 janë në kundërshtim të plotë me gjendjen faktike ngase palët nënshkruese nuk kanë vepruar në kuptim të kësaj dispozite, ndërsa për vitin 2021 kërkesëpadia është në kundërshtim me dispozitën e cekur për faktin se kompensimi duhet të fillojë kur të krijohen mundësitë financiare në buxhetin e qeverisë, por jo më vonë se viti 2023”, tha Oruqi.

Sipas tij, rrjedhimisht kërkesëpadia për kompensimin dhe zbatimin e dispozitave nga neni 35, par. 5,7 dhe 11 të Kontratës së Re Kolektive, mund të bëhet pas vitit 2023, nëse deri atëherë nuk janë kompensuar.

Po ashtu, Oruqi e ka kërkuar nga gjykata që në emër të ekonomizimit të procedurës, kësaj lënde t’i bashkohen edhe lëndët e tjera që kanë të bëjnë me shkollën “Sadedin Hajda” nga Rahoveci.

Pas kësaj gjykatësi Betim Behluli ka lejuar zgjerimin e padisë në kuptimin objektiv, ndërsa kërkesën e përfaqësuesit të të paditurës për bashkimin e lëndëve e ka refuzuar.

Ndërsa pas administrimit të provave, përfaqësuesi i të dëmtuarës, Bilbil Oruqi, ka pasur vërejtje në provat e administruara.

“Për shkak se në vërtetimet mbi ditët e pranisë në punë nuk janë hequr ditët e pushimeve dhe ditët që konsiderohen si mungesë në punë për shkak të grevës, pandemisë apo arsyeve tjera”, tha Oruqi, duke shtuar se vërtetimi duhet të lëshohet nga komisioni i posaçëm i krijuar për këtë qëllim nga Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA).

Ndërsa në fjalën përfundimtare, përfaqësuesi i paditësve, avokati Rogova deklaroi se pas administrimit të provave dhe shqyrtimit të sotëm në këtë çështje kontestimore është vërtetuar në tërësi lartësia e kërkesëpadisë, e cila është precizuar me parashtresë për paditësit, ndërsa sipas tij baza juridike është e pa kontestueshme.

Ai ka kërkuar nga gjykata që padinë e paditësve të precizuar në kuptim objektiv ta aprovojë në tërësi si të bazuar dhe ka kërkuar shpenzimet procedurale në shumën totale për 777 euro e 60 centë.

Në anën tjetër përfaqësuesi i të dëmtuarës, Bilbil Oruqi në fjalën përfundimtare tha se në bazë të bazës juridike në të cilën thirret padia dhe kërkesëpadia e paditësve e që është Kontrata Kolektive e Arsimit, padyshim se mund të arrijnë në përfundim se të paditurës i mungon legjitimiteti pasiv pasi që nuk është nënshkruese e kontratës kolektive.

Sipas tij për të zbatuar dispozitat që kanë implikime financiare të kontratës kolektive, në të njëjtën janë paraparë dispozitat e nenit 46 të Kontratës Kolektive, për mënyrën e sigurimit të mjeteve financiare dhe alokimin e të njëjtave të nivelit lokal në vijë të veçantë buxhetore, mirëpo këto dispozita nuk janë zbatuar nga MASHT-i dhe SBASHK-u.

Andaj, sipas tij aprovimi i kërkesëpadisë së paditësve cenon rëndë sigurinë juridike të Komunës së Rahovecit si palë e vetme e paditur.

Ndryshe, sipas padisë të ushtruar më 27 dhjetor 2019 dhe zgjerimit të padisë më 28 shtator 2020, paditësit Alirizaja Zllanoga, Azize Kadiri, Hysnije Sylka, Hilmi Haxhimustafa, Muradije Shehu, Hakide Haxhidauti dhe Skender Gashi, po kërkojnë nga Komuna e Rahovecit, përkatësisht Drejtoria Komunale e Arsimit (DKA), kompensimin për shpenzimet të udhëtimit dhe shujtave për ushqim,  të cilat pretendojnë se i takojnë me kontratën kolektive.

Në padi thuhet se pos të drejtave të tjera të parapara me dispozitat e Ligjit të Punës, nr.03/L-2012, paditësve si punëtorë arsimorë me Lontratën Kolektive të Arsimit Parauniversitar të datës 18 prill 2017 është rregulluar se: “Të punësuarve, u sigurohet kompensimi për ushqim gjatë punës për ditët e pranisë në punë, vlera e kompensimit të shpenzimeve të ushqimit në punë për ditë pune është 2 euro, për të punësuarit që kanë marrëdhënien e punës primare në institucionet arsimore” si dhe “Punonjësit arsimtar që udhëtojnë në vendbanimet e komunës përkatëse ku punojnë, i paguhen shpenzimet e rrugës 70% të biletës së udhëtimit urban”.

Sipas padisë, komuna obligohet që në emër të shujtave për ushqim t’ia paguajë paditëses Alirizaja Zllanoga shumën prej 1 mijë e   254 euro, paditëses Azize Kadiri, shumën prej 1 mijë e 262 euro, paditëses Hysnije Sylka shumën prej 1 mijë e 260 euro,  paditësit Hilmi Haxhimustafa shumën prej 898 euro, paditëses Muradije Shehu shumën prej 928 euro dhe paditësit Skender Gashi shumën prej 1 mijë e 256 euro, ndërsa paditëses Hakide Haxhidauti në emër të shujtave për ushqim dhe shpenzimit të udhëtimit shumën e përgjithshme prej 595 euro e 20 centë.

Të gjitha këto me kamatë ligjore prej 8%, që nga dita e hyrjes në fuqi të Kontratës Kolektive të Arsimit të Kosovës.

Prandaj, me anën e kësaj padie paditësit po kërkon nga gjykata që kërkesat e tyre të aprovohen si dhe të detyrohet e paditura që t’ia kompensojë sipas kërkesëpadisë. /BetimipërDrejtësi

 

Asnjë koment

Comments are closed.