02-05-2024

Shtohen rastet e falsifikimit të parave, katër raste vetëm gjatë 24 orëve

Gjatë kohëve të fundit janë shtuar raportimet për falsifikim të parave, në raportin 24 orësh të Policisë së Kosovës janë paraqitur disa raste të falsifikimit të kartëmonedhave të ndryshme.

Në regjionin e Prishtinës gjatë 24 orëve, janë raportuar për dy kartëmonedha që dyshohen të jenë të falsifikuar, ndërsa dhe në Gjilan e Pejë është raportuar për nga një rast.

“Graqanicë, ankuesja femër kosovare, punëtore e një banke, ka raportuar se ka hasur në një kartëmonedhë prej 100 euro që dyshohet të jetë e falsifikuar. Monedha e dyshuar është konfiskuar.”

“Komoran, Gllogoc, ankuesi mashkull kosovar, punëtor i një pompe të derivateve, ka raportuar se një i dyshuar i panjohur pasi ka mbushur veturën me derivate, ka bërë pagesën me një kartëmonedhë prej 500 euro që dyshohet të jetë e falsifikuar. Monedha e dyshuar është konfiskuar”, thuhet në raportin e Policisë.

“Gjilan, ankuesja femër kosovare, ka njoftuar se është identifikuar një bankënotë prej 50 euro që dyshohet të jetë e falsifikuar. Bankënota është konfiskuar.”

“Pejë, ankuesja femër  kosovare, punëtore e një banke, ka raportuar se në kohë të ndryshme dhe nga shoqëri të ndryshme afariste, janë deponuar të holla ku është vërejtur se disa prej tyre janë te falsifikuara. Monedhat e dyshuara si të falsifikuara janë : 1×100, 3×50 , 2×10 dhe 17×2 euro, të njëjtat janë konfiskuar”, është bërë e ditur në raportin 24 orësh./Express/

Asnjë koment

Comments are closed.