Shtyhet gjykimi ndaj të akuzuarit për kanosje dhe armëmbajtje pa leje në Dragash
Mungesa e avokatit Blend Gjini, ka bërë që të dështojë seanca e paraparë të mbahet të mërkurën, në Gjykatën Themelore në Prizren, dega në Dragash, ndaj të akuzuarit për kanosje dhe armëmbajtje pa leje, Naser Qafleshi.
Gjykatësja e çështjes, Sabaheta Kurteshi, ka konstatuar se për avokatin Gjini ka fakte se është i ftuar në mënyrë të rregullt, mirëpo ai mungesën e tij nuk e ka arsyetuar, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Pasi që avokati ka qenë i caktuar sipas detyrës zyrtare, gjykatësja Kurteshi ka thënë se për mos prezencën e tij, do ta njoftojë Oden e Avokateve të Kosovës, ndërsa të pandehurit do t’i caktohet avokat tjetër.
Seanca e radhës për ketë rast është caktuar më 26 dhjetor 2019, në ora 11:15.
Sipas aktakuzës së ngritur më 18 dhjetor 2017, nga Prokuroria Themelore në Prizren, Naser Qafleshi, akuzohet se më 10 tetor 2017, në fshatin Bollobrad të Dragashit, ka mbajtur në shfrytëzim pa leje, pushkën automatike “AK 47”.
Për këtë, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll, ose posedim të paautorizuar të armëve”, nga neni 374, paragrafi 1 i Kodit Penal të Kosovës.
I pandehuri Qafleshi, akuzohet gjithashtu se me datën dhe kohen e njëjtë ka kanosur të dëmtuarin Xhelbrim Sylejmanin.
Në aktakuzë thuhet se rasti ka ndodhur në atë mënyrë që derisa i dëmtuari ka shkuar në pompën e derivateve “Ari Petrol”, me qellim për t’u furnizuar me benzinë, ku i pandehuri gabimisht e furnizon me naftë dhe e udhëzon që të shkojë tek një mjeshtër që ta pastrojë rezervarin e automjetit.
Sipas aktakuzës, i dëmtuari shkon tek mjeshtri, por ai e udhëzon që të furnizohet me më shumë benzinë, me qellim që rezervari të pastrohet dhe kur i dëmtuari kthehet përsëri në pompën e derivateve dhe në momentin kur i drejtohet të pandehurit “se a do ta dërgon kjo veturë në fshatin Brrut”, i pandehuri i drejtohet me fjalën “prit këtu”, hyn brenda në objektin e pompës, merr armën, duke iu drejtuar të dëmtuarit me fjalët “a po largohesh nga këtu a të vrava”, me ç’ rast të dëmtuarit i shkakton frikë, ankth dhe pasiguri.
Me këto veprime, ai akuzohet se ka kryer veprën penale “kanosje”, nga neni 185, paragrafi 1 të Kodit Penal të Kosovës. /BetimipërDrejtësi