Në Gjykatën Themelore në Prizren, të enjten, për shkak mungesës së të akuzuarve Arben Krasniq dhe Shqipron Krasniqi dhe përfaqësueses së Komunës së Prizrenit, Vlora Isufi- Gjogjaj, ka dështuar të mbahet gjykimi për korrupsion.
Sipas aktakuzës, të akuzuarit Krasniqi po ngarkohen se në cilësinë e zyrtarëve të Komunës së Prizrenit, në bashkëkryerje kanë keqpërdorur detyrat e tyre zyrtare, pasi në procedurën jokontestimore të zhvilluar pranë Gjykatës Themelore në Prizren, në mënyrë të paligjshme kanë mundësuar këmbimin e pronës së Komunës së Prizrenit me pronën e propozuesit Vitmir Jemini, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Kryetarja e trupit gjykues, Teuta Krusha njoftoi se mungesën e të akuzuarit Arben Krasniqi e ka arsyetuar mbrojtësi i tij, avokati Driton Shehu, i cili ka thënë se i akuzuari Krasniqi për arsye familjare nuk mund të jetë present dhe ka kërkuar shtyrjen e seancës.
Ndërsa, lidhur me mungesën e përfaqësueses së komunës Isufi- Gjogjaj, gjykatësja Krusha tha se e njëjta me anë të parashtresës ka njoftuar se për shkak të gjykimeve të tjera që ka pranë kësaj gjykate, nuk mund të jetë prezente në këtë seancë.
Kurse, për të akuzuarin Shqipron Krasniqi, tha se i njëjti është ftuar në mënyrë të rregullt, mirëpo mungesën e tij nuk e kanë arsyetuar.
Ndryshe, të pranishëm në seancë ishin prokurorja Nazan Shero, avokati Driton Shehu dhe mbrojtësja e të akuzuarit Shqipron Krasniqi, avokatja Naifje Muqaj.
Gjykatësja Krusha ka njoftuar se seanca e paraparë për 15 shtator 2023 anulohet.
Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, më 11 qershor 2020, të akuzuarit Arben Krasniqi dhe Shqipron Krasniqi po akuzohen se në bashkëkryerje kanë keqpërdorur detyrat e tyre zyrtare, në atë mënyrë që në procedurën jokontestimore të zhvilluar pranë Gjykatës Themelore në Prizren në mënyrë të paligjshme kanë mundësuar këmbimin e pronës së Komunës së Prizrenit me pronën e propozuesit Vitmir Jemini.
Në aktakuzë thuhet se Shqipron Krasniqi, në cilësi të përfaqësuesit ligjor të Komunës së Prizrenit, në procedurën jashtëkontestimore të zhvilluar, nuk e kundërshton propozimin e propozuesit të parashtruar për rregullimin e vijës kufitare të tokës (mexhës), në të cilën procedurë ai ka përfaqësuar Komunën e Prizrenit, e gjatë së cilës procedurë një pjesë e ngastrës kadastrale, pronë e Komunës së Prizrenit, këmbehet me një pjesë të ngastrës kadastrale tjetër, pronë e propozuesit Vitmir Jemini, e gjithë kjo në kundërshtim me Ligjin për Dhënien në Shfrytëzim dhe Këmbimin e Pronës së Paluajtshme të Komunës.
Tutje, në aktakuzë thuhet se i pandehuri Arben Krasniqi, në cilësi të udhëheqësit të Sektorit Ligjor pranë Kuvendit Komunal në Prizren dhe i pandehuri Shqipron Krasniqi, në cilësi të përfaqësuesit ligjor pranë Sektorit Ligjor të Komunës së Prizrenit, nuk parashtrojnë mjetin e rregullt juridik – ankesën, ndërsa pas përfundimit të kësaj lënde, propozuesi Vitmir Jemini, pajiset me leje ndërtimore dhe me këtë këmbim të sipërfaqes prej 90 m2, i mundësohet ndërtimi i objektit – aneksit, ndërtesës banesore, të quajtur “Aneksi i Ri Euro Center”, që gjendet në rrugën “Adnan Krasniqi”, në Prizren.
Me këtë, të akuzuarit po ngarkohen me veprën penale “Keqpërdorim i detyrës zyrtare apo autoritetit zyrtar”, nga neni 422, paragrafi 1, lidhur me nenin 31 të Kodit Penal. /BetimipërDrejtësi
Shënim: Personat e përmendur në këtë artikull konsiderohen të pafajshëm, përveç nëse nga gjykata vërtetohet se janë fajtorë me vendim të formës së prerë.