03-05-2024

Shtyhet mbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të Prizrenit

Për mungesë kuorumi, sot nuk është mbajtur mbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit Komunal të Prizrenit, në të cilën si pikë e vetme e rendit të ditës ishte shqyrtimi dhe miratimi i propozimit të nismës për bashkëpunim ndërkomunal ndërmjet Komunës së Prizrenit dhe Komunës së Mamushës, në fushën e infrastrukturës rrugore, shkruan “GazetaePrizrenit.net”.

Mbledhja ishte thirrur nga kryesuesi i KK-së, Artan Abrashi , por në mbledhje mungoi vetë iniciuesi i pikës së rendit të ditës, kryetari i Komunës, Mytaher Haskuka. Në mbledhje munguan edhe anëtarët e Kuvendit Komunal të LDK-së, kështu që në sallë mbetën pak asamblist.

Drejtori për Shërbimeve Publike, Levent Kasemi, dha disa sqarime për bashkëpunimin e mundshëm me Komunën e Mamushës për këtë projekt. Projekti në fjalë ka për qëllim përmirësimin e infrastrukturës rrugore në fshatrat Smaç, Medvec dhe Zojz, duke ndikuar drejtpërsëdrejti në mirëqenien e banorëve të të dy komunave dhe në zhvillimin ekonomik të kësaj zone.

Me arsyetimin se mungonte vetë kryetari Haskuka, kuvendarët opozitarë,  të cilët nuk i bindi as arsyetimi se seanca është ftuar  për interesin e qytetarëve e lëshuan seancën.

Kjo edhe e detyroi kryesuesin  e KK-së, Artan Abrashi që në mungesë të kuorumit ta mbyll  mbledhjen, e cila nuk zgjati shumë. /GazetaePrizrenit.net

Asnjë koment

Comments are closed.