04-05-2024

Shtyhet për në janar, transferimi në Prizren i Ministrisë së Kulturës

Transferimi i një pjese të Ministrisë së Kulturës Rinisë dhe Sportit (MKRS) nga Prishtina në Prizren, që ishte paralajmëruar të bëhet në tetor, është shtyrë për në muajin janar, përkundër që objekti është i gatshëm prej kohësh, transmeton “GazetaePrizrenit.net”.

Paralajmërimet se këtë vit Prizreni do të bëhej shtëpia e dytë për MKRS-në nuk ndodhi.  Objekti që do t’i bëjë “konkak” dikasterit  të parë qeveritar, që ndodhet në qendrën e Prizrenit, në “Shatërvan”,  prej dy muajsh mban tabelën me mbishkrimin e MKRS-së.

Samir Hoxha, këshilltar i Ministrit të Kulturës, ka konfirmuar për portalin “GazetaePrizrenit.net” se shkak për shtyrjen e transferimit të paralajmëruar është agjenda e ngarkuar e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veselit  dhe kryeministrit Ramush Haradinaj.  “Çdo gjë tjetër tashmë është e gatshme”, ka thënë ai.

Këtu parashihet të zhvendoset një pjesë e kabinetit përfshirë, Departamentin e Inspektoratit, i cili është themeluar këtë vit, Departamentin e Trashëgimisë Kulturore si dhe një pjesë e Departamentit të Kulturës.

Transferimi, që bëhet në përputhje me synimet e ministrisë për të bërë decentralizimin e shërbimeve nëpër të gjitha regjionet e Republikës, pritet të bëhet me një ceremoni./GazetaePrizrenit.net/

Asnjë koment

Comments are closed.