20-04-2024

Shtyhet seanca për mashtrim dhe falsifikimit të dokumenteve

Sot, në Gjykatën Themelore në Prizren, dega në Suharekë, me kërkesën e mbrojtësit të të akuzuarit Dashnim Bajrami, avokatit Besim Kuqi është shtyrë seanca e shqyrtimit gjyqësor të çështjes, në rastin ku Sadik Berisha dhe Dashnim Bajrami, po akuzohen për “mashtrim” dhe “rastet e posaçme të falsifikimit të dokumenteve”.

Të pranishëm në seancë kanë qenë prokurori Ramadan Koro, i akuzuari Sadik Berisha, i akuzuari Dashnim Bajrami dhe mbrojtësi i tij avokati Besim Kuqi, i autorizuari i të dëmtuarit juristi Ali Gashi, ndërsa ka munguar dëshmitari Bajram Bytyqi, i cili nga shkresat e lëndës është vërtetuar se i njëjti gjendet në Francë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Mbrojtësi i të akuzuarit Dashnim Bajrami, avokati Besim Kuqi ka deklaruar se” ftesa me shkrim nuk më është dorëzuar për seancën e sotme dhe konsideroj se është shkelje serioze e gjykatës” ndër të tjerash duke shtuar se “përveç aktakuzës dhe deklaratës së klientit tim të dhënë në prokurori nuk posedojmë provat në të cilat mbështetet aktakuza dhe në mungesë të tyre kërkoj që të na jepen të njëjtat të në mënyrë që të respektohet parimi i kontradiktorialitetit dhe i barazisë së palëve”, ka thënë Kuqi. I njëjti ka kërkuar  që seanca e sotme të mos mbahet.

Prokurori i çështjes Ramadan Koro lidhur me këtë çështje ka deklaruar se “ aktakuza është ngritur që nga viti 2011 dhe avokati ka pasur mundësi të mjaftueshme që me një parashtresë t’i drejtohet prokurorit lidhur me sigurimin e shkresave, ndërsa sa i përket shtyrjes së seancës së sotme, ia lë në vlerësim gjykatës”.

Gjyqtari i çështjes Qemail Suka ka shtyrë seancën e sotme për datën 7 prill 2021 në ora 11:00.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, të akuzuarit Sadik Berisha dhe Dashnim Bajrami, akuzohen se më 10 dhjetor 2010 në Suhakrekë me qëllim që vetes ti sjellin dobi  pasurore të kundërligjshme, e mashtrojnë të dëmtuarin Isni Berisha, ashtu që e sjellin në lajthim më anë të paraqitjes së rreme, duke i fshehur faktet dhe me këtë e shtytin që të veproj në dëm të pasurisë së tij, në atë mënyrë që i pandehuri i dytë Dashnim Bajrami, kinse përmes një para kontratë i shet të dëmtuarit Isni Berisha banesën e cila gjendet në lagjen “Sllogja” në Suharekë, në sipërfaqe prej 61 m2 në vlerë prej 31 mijë euro dhe merr prej tij 23 mijë euro me c’rast përmes falsifikimit të kontratës së mëparshme, me ndihmën e të pandehurit të parë Sadik Berisha- djali i të dëmtuarit, ia shesin Bajram Bytyqit në shumë prej 31 mijë euro.

Andaj, me këto veprime në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “mashtrimi” nga neni 261 paragrafi 2 lidhur me nenin 23 të KPK-së.

Mirëpo gjyqtari i çështjes ka konstatuar se për këtë vepër është arritur parashkrimi.

Sipas dispozitivit të dytë të aktakuzës të lartcekurit kah mesi i prillit 2011 në Suharekë, me qëllim që vetes ti sjell dobi pasurore, e mashtrojnë të dëmtuarin Bajram Bytyqi ashtu që e sjellin në lajthim me anë të paraqitjes së rreme duke i fshehur faktet dhe me këtë e shtytin që të veproj në dëm të pasurisë së tij, në atë mënyrë që banesën e njëjtë si në dispozitivin e parë, ia shesin në shumë prej 31 mijë euro.

Me këto veprime në bashkëkryerje akuzohen se kanë kryer veprën penale “mashtrimi” nga neni 261 paragrafi 2 lidhur me nenin 23 të KPK-së.

Sipas dispozitivit të tretë të aktakuzës të lartcekurit më 24 maj 2011 në Suharekë e mashtrojnë pronarin e kompleksit banesor Milazim Voci dhe të dëmtuarin Durak Durmishi, me qëllim që vetes ti sjell dobi pasurore, ashtu që e sjellin në lajthim të dëmtuarit me anë të paraqitjes së rreme, duke i fshehur faktet dhe me këtë e shtytin që Milazim Voci si pronarë i kompleksit banesor, të bartë banesën në emër  të të dëmtuarit Durak Durmishi, duke ia shitur atij banesën e cila është objekt i dispozitivit l dhe ll të aktakuzës në shumë prej 30,750 mijë euro.

Me këto veprime akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “mashtrimi” nga neni 261 paragrafi 2 lidhur me nenin 23 të KPK-së.

Ndërsa i pandheuri Sadik Berisha, akuzohet se gjatë muajit maj të vitit 2011 në Suharekë mashtron të dëmtuarin Bajram Bytyqi  lidhur me përmbajtjen e parakontratës të datës 25 maj 2011, kinse i pandehuri i parë është pronar i banesës duke vënë nënshkrimin e vet në këtë dokument.

Andaj, me këto veprime akuzohet se ka kryer veprën penale “rastet e posaqme të falsifikimit të dokumenteve” nga neni 333 paragrafi 1 nënparagrafi 2 i KPK-së. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.