24-11-2024

Si filloi normalizimi i jetës në Prizren pas Pandemisë?

Prej dje, sikur në Kosovë edhe në Prizren ka filluar faza e tretë e lehtësimit të masave ndaj pandemisë COVID-19.

Tashmë janë hapur kafiteritë, çerdhet, qendrat tregtare e kufijtë tokësorë.

Ndonëse Prizreni është komuna më e prekur nga Pandemia, gjatë kësaj kohe, lëvizjet e qytetarëve janë shtuar dukshëm dhe ka filluar normaliteti i jetës, shkruan Gazeta e Prizrenit.

Me rekomandim të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës dhe Ministrisë së Shëndetësisë, ndërkaq normalizimi i gjendjes duhet të bëhet duke respektuar masat.

Dorëzat, maskat dhe mbajtja e distancës fizike janë të domosdoshme në të gjitha vendet të cilat qytetarët frekuentojnë.

Në dy ditët e para nëpër kafiteritë në Prizren janë vërejtur më pak klientë se sa para mbylljes së tyre në mars. Këtë e kanë konfirmuar edhe disa nga pronarët e tyre, sipas të cilëve nuk doli ajo që është pritur,  se në ditët e para do të ketë një fluks për shkak të izolimit tremujor.

“Situata që kaluam padyshim duket se është reflektuar edhe në standardin e qytetarëve”, tha njëri prej tyre.

Edhe qytetarët ankohen për rënie të standardit, Burim Gashi, që tha se punon në një qendër tregtare, tregoi se nuk ka marrë as 170 eurot e parapara nga emergjenca.

Prej tri ditësh në komunën e Prizrenit nuk ka pasur raste të reja të konfirmuara me COVID-19. /GazetaePrizrenit.net/

 

Asnjë koment

Comments are closed.