23-11-2024

S’ka buxhet për mësimdhënësit e viteve ‘90

Numri i saktë i mësimdhënësve të viteve ‘90-‘99 dhe kostoja buxhetore vazhdojnë të jenë problem në Projektligjin që rregullon statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës nga viti shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99.

Në dëgjim publik lidhur me këtë projektligj, i cili është miratuar në lexim të parë, Ministria e Financave dhe Fondi Monetar Ndërkombëtar kanë paraqitur rezervat e tyre rreth ndikimit buxhetor që do të ketë implementimi i këtij projektligji në qoftë se nuk paraqiten saktë të dhënat për numrin e atyre që do të përfitojnë.

Ndërkohë, sponsorizuesi i këtij projektligji, Ministria e Arsimit, SBASHK-ut kanë shprehur qëndrimin se projektligji nuk e ngarkon tepër MF-në në aspektin financiar, pasi të gjitha të dhënat i kanë të sakta.

Zëvendësministri i Financave, Fatmir Gashi, koston financiare e ka quajtur problemin kryesor në këtë moment që e sfidon shumë Ministrinë e Financave.

Sipas tij, MF-ja nuk ka asgjë kundër këtij projektligji, por vetëm ka rezerva në lidhje me koston buxhetore.

“Ne mendojmë që duhet ligji sa i përket përfituesve duhet të jetë shumë me konciz, shumë më preciz dhe të sqarohet saktë kush çka përfiton në mënyrë në të bëhet kostoja e ligjit dhe dua të deklaroj këtu që në kornizën afatmesme të shpenzimeve 2019-2021 nuk janë të kyçura këto shpenzime për arsye se nuk kemi mundur të bëjmë llogaritjen e tyre. Ne kemi bërë një llogaritje sipas kërkesës që ka ardhur nga MASHT-i dhe llogaria jonë është 16 milionë e 700 mijë, që më vonë është konstatuar nuk është e mjaftueshme dhe pas disa llogarive tjera kostoja vjetore na del diku rreth 32 milionë euro. Krejt këto janë probleme të cilat i sjellin MF-së në planifikim të buxhetit dhe planifikim te të dalurave”, tha Gashi.

Edhe shefi i Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) në Kosovë, Ruud Vermeulen, ka kërkuar mos miratimin e këtij projektligji, sepse ka kosto të madhe financiare dhe nëse edhe kategoritë tjera kërkojnë të njëjtën gjë atëherë buxheti i vendit nuk do ta përballojë.

“Më lejoni të ripërsëris se ne e vlerësojmë shumë shërbimin e mësuesve dhe nuk është se ne jemi kundër çdo lloj kompensimi për punën e mësuesve në vitin 1999 si të tillë, por kemi thënë që projektligji aktual në formën aktuale është shumë i dëmshëm për buxhetin për shumë vite të ardhshme. Ne mendojmë që projektligji aktual në formën e tij aktuale do të dobësonte sistemin e pensioneve tashmë të pafinancuar, do të krijonte një boshllëk të përhershëm në buxhet dhe do të grumbullonte shpenzime më produktive në përparësitë e tjera të tilla si arsimi, kujdesi shëndetësor dhe infrastruktura”, theksoi Vermeulen.

Isni Kryeziu nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, theksoi se pikërisht neni 6 i projektligjit përcakton kategoritë se kush përfiton. Derisa, ka thënë se dihet saktë edhe numri i atyre që do të përfitojnë, ani pse numri do të shkoj duke u rritur në vitet e ardhshme.

“Nuk ka asnjë dilemë rreth diskutimeve se sa është numri i përfituesve nga ky ligj. Është krejt e qartë, është e precizuar në nenin 6 dhe me koston financiare që e kemi përllogaritur për secilin vit. Qysh kemi planifikuar bashkë me Ministrinë e Financave, nëse nisë zbatimi i këtij ligji, katër muajt e fundit të këtij viti, ne kemi llogaritur, meqë unë pajtoj me të dhënat që i ka Sindikata, se ky numër që ne e kemi në deklaratë financiare është shumë më i vogël se sa ai që prezanton këtu sepse një pjesë e tyre veç janë të vdekur sot. Por ne kemi numrin prej 9656 punëtor që do të realizojnë pensionin”, u shpreh Kryeziu.

Përfaqësuesi i SBASHK-ut, Ymer Ymeri tha se nga projektligji do të përfitojnë 5987 përfitues sepse mbi 3 mijë kanë vdekur. Kostoja buxhetore sipas një versioni që e ka dhënë vet Ministria e Financave, është dokument zyrtar, thotë se në vitin e parë e gëzojnë pensionin 9656 të pensionuar të arsimit të asaj periudhe.

“Është numër shumë i fryrë sepse ky numër nuk është llogaritur që ka vdekur askush. Llogaritet të gjithë ata që janë dal në pension para 27 viteve që janë ende gjallë. Pra, llogaritet që i kanë me shumë se 100 vjet të gjithë ata pensionistë. Sipas disa përllogaritjeve tona të përafërta dhe duke u bazuar në statistika të entit të statistikave që jetëgjatësia në Kosovë është 73 vite, del se diku 3669 persona kanë vdekur prej tyre. Tash nëse e fillojmë jetësimin e këtij ligji, momentalisht e fitojnë 5987 persona”, theksoi Ymeri.

Edhe shoqëria civile ka shprehur kundërshtimin e tyre për koston e madhe buxhetore që do ta ketë ky projektligj.

Madje, sipas Agron Demit nga GAP-i, me miratimin edhe të projektligjit për pagat në shërbimin publik, kostoja e këtij projektligji do të rritet edhe me shumë.

Në bazë të pagave aktuale, sipas Demit, diku do të jetë 650 milionë euro kostoja totale e zbatimit të këtij projektligji, derisa me implementimin e projektligjit për pagat, do të arrijë në 766 milionë euro.

“Tash jemi në kohën kur po diskutohet për projektligjin për pagat në shërbimin publik. Ai automatikisht e rritë pagën bazë në arsim në bazë të njoftimeve që kemi prej 405 euro në 466 euro dhe ndikon indirekt edhe në ligjin që ta po e diskutojmë këtu. Dhe, prej 32 milionë që përmendi zëvendësministri, tash sipas kalkulimit rritet në 37.2 milionë në vit nëse aprovohen këto dy projektligje në është formë”, theksoi Demi.

Megjithatë, mbështetje MASHT-it dhe SBASHK-ut, iu kanë dhënë deputetët e Kuvendit të Kosovës.

Projektligji që rregullon statusin e punëtorëve të arsimit shqip të Republikës së Kosovës nga viti shkollor 1990/91 deri në vitin shkollor 1998/99, është miratuar në parim nga deputetët e Kuvendit. Pas shqyrtimit në komisionin për Arsim, projektligji pritet të dal për miratim në lexim të dytë në seancë plenare./koha.net/

 

Asnjë koment

Comments are closed.