25-11-2024

Sot kryederbi Drita-Ballkani

Elita e futbollit kosovar është drejt fundit të saj, teksa kanë mbetur edhe tri xhiro për tu zhvilluar.

Këto tri xhirot e fundit, të gjitha takimet e Superligës do të zhvillohen në të njëjtën ditë dhe në të njëjtin orar.

Padyshim që ndeshja më interesante e ditës së sotme zhvillohet në Gjilan, ku përballë do të jenë dy konkurrentët për titullin e kampionit, Drita dhe Ballkani.

Si vendasit ashtu edhe mysafirët futen në këtë takim vetëm për tri pikët, pasi vetëm fitorja eventuale i mbanë ende në garë për titullin e kampionit.

Ndeshje e zjarrtë pritet të zhvillohet edhe në stadiumin ‘Fadil Vokrri’ në kryeqytet, ku lideri aktual Prishtina pret Feronikelin.

Edhe në këtë takim pikët janë shumë të rëndësishme për të dyja skuadrat, pasi kryeqytetasit po luftojnë për titullin e kampionit derisa ‘Industrialistët’ për t’iu shmangur rënies.

Përballje jetike do ta ketë Trepça ’89, e cila nuk di për fitore që pesë xhiro dhe përballja ndaj Gjilanit në “Riza Lushta”, do të jetë një duel me presion të lartë për mitrovicasit, pasi në rast rezultati tjetër përveç fitores rrezikon shumë rënien në Ligën e Parë.

Ndërsa skuadra e Ismet Munishit, edhe në këtë ndeshje do të jetë pa presion, pasi është në pozitë komode dhe nuk rrezikon asgjë.

Ndeshje shumë interesante dhe direkte për mbijetesë zhvillohet edhe ajo mes Arbërisë dhe Drenicës në stadiumin me bari sintetik në Gjilan, ku të dyja skuadrat po kërkojnë shpëtimin, raporton Olle.

Në Podujevë skuadra e rënë edhe zyrtarisht nga elita, Besa, do të mundohet të krijoj befasinë e radhës, tani ndaj Llapit, e cila është në finale të Kupës së Kosovës, por që në Superligë ende nuk e ka krijuar komoditetin e mbetjes në elitë.

Llapi kërkon vetëm tri pikët e qetësisë, derisa Besa ka për qëllim të shkaktojë befasinë e radhës.

Asnjë koment

Comments are closed.