18-05-2024

Sot derbi lokal në futboll: Liria-Ballkani

Sot nisin kampionatin e futbollit, në një ndeshje që vlerësohet si derbi lokal në kuadër të IPKO Superligës së Kosovës, dy ekipet e rajonit të Prizrenit, Liria dhe Ballkani i Suharekës, që pas 8 vjetësh rikthehet në këtë rang garash, transmeton “GazetaePrizrenit.net”.

KF Liria e Prizrenit me disa përforcime,  nis rrugëtimin e saj të rëndësishëm garues për edicionin e sivjetmë në futboll.

Në ekipin prizrenas,  sipas njoftimit zyrtar të Federatës së Futbollit të Kosovës në afatin e rregullt kalimtar kanë kaluar 17 futbollistë: Blendi Memaj (është kthyer nga Instambulli), Sajmir Hasanaj ( Beslidhja, Lezhë, Gerald Tushe (Malma), Franesko Lamaj (Tus Heven Bochum), Shpresim Fazlija (Plan Les Outes), Ibrahim Valjididjo ( Pivara, Serbia), Florian Davi (Tomor, Berat), Kastriot Curri (Kamza), Aldro Mitaj (Kamza), Ramadan Kryeziu, Drilon Hodaj, Liridon Fetahaj, Granit Osmanollaj, Valon Bytyqi, Granit Thaçi, Robert Gjeraj dhe Fatih Karahoda.

Përballja e parë e klubit bardh e zi, si mikëpritëse do të jetë me ekipin fqinj,  dhe do të zhvillohet nga ora 16:45, në stadiumin “Përparim Thaçi”, në të cilin po zhvillohen punime për rregullimin e infrastrukturës, përcjell “GazetaePrizrenit.net”.

Fotografia e LIRIA FC

Si për çdo ekip edhe për Lirinë është e rëndësishme përkrahja e futbolldashësve. “Duke qenë një ndeshje tejet e rëndësishme dhe që do t’ia jap ekipit tonë të mbarën, gjithsesi që nevojitet përkrahja e tifozerisë së qytetit tonë për klubin tonë të zemrës. Të gjithë në përkrahje të Klubit tonë”, thuhet në njoftimin zyrtar të klubit, para ndeshjes së sotme.

Ndeshjen e kanë vlerësuar si të rëndësishme edhe në klubin Ballkani. Në faqen zyrtare,  thuhet se për skuadrën, kjo ndeshje është më shumë se derbi lokal, pasi pas tetë vitesh sërish luajnë në elitën e futbollit kosovar.

Për këtë ndeshje trajneri, Bekim Shotani ka thënë: “Takimi me Lirinë do të jetë e veçantë për FC Ballkani, pasi zhvillon ndeshjën e parë në IPKO SUPERLIGË Jemi të mobilizuar që shikuesve të Suharekës të iu sjellim pikët e para në këtë edicion. Besoj dhe shpresoj që këta djem do të na e zbardhin fytyrën nesër”.

Ndryshe rivalët lokal, në kuadër të përgatitjeve për fillimin e sezonit, në fund të korrikut janë takuar në një ndeshje miqësore në “Përparim Thaçi” e cila përfundoi baras 0:0./GazetaePrizrenit.net/

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.