02-12-2024

Sot mbahet pjesa e dytë e afatit të parë të provimit të Maturës 2019, në rajonin e Prizrenit

Sot mbahet pjesa e dytë e afatit të parë të provimit të Maturës Shtetërore 2019, në regjionin e Prizrenit.  Provimit më të rëndësishëm nga shkollimi i mesëm, do t’i nënshtrohen 2.754 maturantë të Komunës së Prizrenit, të të gjitha profileve, shkruan sot “Gazeta e Prizrenit”.

Pjesa e dytë e testit përbehet nga pyetje të lëndëve matematikë dhe mësimit me zgjedhje. Provimi mbahet në 17 qendrat testuese, në 13 shkolla të komunës, duke filluar nga ora 10:00.

Nga Komuna e Prizrenit janë 107 administrues të shkollave të mesme, që do të shkojnë në komunat e Suharekës, Dragashit  dhe të Mamushës, kurse nga këto komuna në Prizren vijnë 227 administrues.

Zyrtari për arsim në DKA dhe njëherësh koordinator për Maturën shtetërore, Nexhat  Maçkaj, ka thënë për portalin “Gazeta e Prizrenit” se janë bërë përgatitjet e duhura edhe për lëndët e mësimit me zgjedhje që kësaj here është risi, në mënyrë që të mos ketë mungesë të testeve përkatëse, duke shprehur optimizëm për mbarëvajtjen.

Matura shtetërore është njëra nga veprimtaritë kryesore të vendit dhe si e tillë duhet menaxhuar mirë. Njëherësh mund të thuhet se deri në nivelin e mesëm të shkollimit ky është provimi më i vështirë për nxënësit, pasi përmbledh njohuritë e mëparshme. Rezultatet e arritura në të pastaj janë shumë të rëndësishme për regjistrim në fakultet.

Referuar  të dhënave zyrtare, krahasuar me vitin paraprak, sivjet janë 20 maturantë më pak. Nga numri i përgjithshëm i maturantëve, 2.341 janë shqiptarë, 206  boshnjakë  dhe 156 janë turq. Numrin më të maturantëve, me 756 sosh e përbën gjimnazi “Gjon Buzuku”.

Autoritetet kanë paralajmëruar ndëshkim në raste keqpërdorimi të rregullave të parapara. KQSHM i bën thirrje organeve të rendit dhe prokurorisë që të marrin masa ndaj atyre që përpiqen të keqpërdorin rrjetet sociale, apo formojnë grupe në aplikacionin Viber, me qëllim të komunikimit gjatë mbajtjes së testit.

Faza e parë e testit në rajonin e Prizrenit është mbajtur të premten e kaluar, kur pyetjet kanë qenë nga lëndët gjuhë shqipe dhe gjuhë angleze./GazetaePrizrenit.net/

 

 

 

Asnjë koment

Comments are closed.