05-10-2024

Sot mbahet Testi i Maturës Shtetërore në rajonin e Prizrenit

Sot mbahet faza e parë e Testit të Maturës Shtetërore në rajonin e Prizrenit.

Testit do t’i nënshtrohen 2.774 maturantë të komunës së Prizrenit, të të gjitha profileve. Zyrtarët  komunal arsimor  kanë thënë se janë ndërmarrë të gjitha masat  që ecuria e testit të jetë në nivel dhe rezultatet të jenë sa më të sakta.

 

Në kontekstin e mbarëvajtjes, DKA në Prizren paraprakisht ka mbajtur takim të përbashkët me administruesit e caktuar në 19 qendrat testuese me drejtorët e këtyre qendrave dhe koordinatorët, të cilët janë njoftuar për rregullat e testit.

 

Matura shtetërore është njëra nga veprimtaritë kryesore të vendit dhe si e tillë duhet menaxhuar mirë. Njëherësh mund të thuhet se deri në nivelin e mesëm të shkollimit ky është provimi më i vështirë për nxënësit, pasi përmbledh njohuritë e mëparshme. Rezultatet e arritura në të pastaj janë shumë të rëndësishme për regjistrim në fakultet.

 

Autoritetet kanë paralajmëruar ndëshkim ndaj atyre që janë të angazhuar në mbarëvajtjen e testit, në rast se keqpërdorin rregullat e parapara. Kjo sipas tyre bëhet që testi të dalë sa më objektiv dhe i saktë, dhe që nxënësit meritorë të cilën gjatë të gjitha viteve ishin me nota të larta të dalin  me pikët maksimale dhe  jo të ndodhë e kundërta.

 

Sivjet ka ndryshuar forma e mbajtjes së testit dhe nuk do të mbahet në të njëjtën ditë. Deri më tani, tri rajonet ku është zhvilluar testi i Maturës  janë Ferizaj, Gjilani dhe Prishtina.

 

Faza e dytë e testit mbahet me 7 qershor.

 

Asnjë koment

Comments are closed.