Sot mblidhet Këshilli Kombëtar për Parandalimin e Dhunës në Sport
MKRS ka dënuar ashpër dhunën e ushtruar ndaj portierit të Ballkanit, Stivi Frashëri në ndeshjen Gjilani – Ballkani, duke thënë se pamje të tilla nuk përkojnë me frymën sportive dhe se përgjegjësit do të marrin përgjigjen e merituar.
Në një njoftim në Facebook thuhet se për nesër është ftuar mbledhja e Këshillit Kombëtar për Parandalimin e Dhunës në Sport për t’i shqyrtuar veprimet e radhës.
“E falënderojmë Policinë e Kosovës për reagimin e tyre të shpejtë në arrestimin e të dyshuarve. Jemi të përkushtuar të bëjmë gjithçka mundemi për t’i mbajtur huliganët jashtë fushave të sportit. Portierit Stivi Frashëri i urojmë shërim të shpejtë dhe të plotë”, thuhet në postimin e MKRS-së në Facebook.
Ndryshe, Policia e Kosovës ka arrestuar sot një person të dyshuar për sulm ndaj portierit të Ballkanit, ndërkohë që po punohet edhe për kapjen e personave të tjerë të involvuar në rast.
Stivi Frashëri u sulmua fizikisht nga tifozët gjilanas kah fundi i ndeshjes Gjilani- Ballkani, e vlefshme për javën e 27-të të Superligës së Kosovës në futboll, kur rezultati ishte 1:1.
Ndeshja më pas u pezullua, ndërsa portieri i Ballkanit u dërgua për trajtim në spital. Gjendja e tij shëndetësore raportohet të jetë stabile dhe jashtë rrezikut për jetën.