Kuvendi i Komunës (KK) së Prizrenit, në një mbledhje të jashtëzakonshme, sot pritet ta miratojë propozim buxhetin e Komunës, për vitin 2022 si dhe parashikimet për dy vite 2023-2024, raporton Gazeta e Prizrenit.
Ky njëherësh është testi i dytë i përbërjes së re të KK-së, pas votimit për zgjedhjen e Kryesueses së organit më të lartë komunal, një javë më parë.
Nga kjo seancë do të shihet, nëse për buxhetin, pos partive në koalicion PDK-së, AAK-së, Nismës, do të votojnë edhe kuvendarët e partive tjera, sidomos ata të VV-së dhe LDK-së, shkruan Gazeta e Prizrenit.
Çështja e buxhetit është shtyrë pasi ish-partia në pushtet VV, nuk i kishte votat e mjaftueshme, 21 sosh sa janë të nevojshme për miratim në KK.
Nga prezantimi i sotëm, do të shihen edhe ndryshimet e bëra në projekt-buxhet.
Mbledhja e jashtëzakonshme do të mbahet, sot (e premte), në sallën për mbledhjet e Kuvendit të Komunës së Prizrenit, tek “Shtëpia e Bardhë”, duke filluar në orën 10:00./GazetaePrizrenit.net