24-11-2024

Sot seancë për Trustin, jashtë Kuvendit protestohet pro tërheqjes së parave

Sindikata e Re e KEK-ut organizon sot protestë, me kërkesën për votimin e projektligjit për tërheqjen e mjeteve nga Trusti Pensional. Kësaj proteste është paralajmëruar se do t`i bashkohen edhe pjesëtarët e Policisë së Kosovës.

Kryetari i Sindikatës së Policisë, Imer Zeqiri, ka thënë se do të jenë të pranishëm në
këtë protestë, por sipas tij, vetëm kryesia e sindikatës, teksa shtoi se janë në dialog me Qeverinë dhe në pritje të një përgjigjeje për realizimin e kërkesave të tyre.

“Ne edhe gjatë organizimit të protestave nga Bashkimi i Sindikatave të Pavarura të Kosovës kemi marr pjesë si kryesi ekzekutive e sindikatës për të përfaqësuar edhe kërkesat edhe të drejtat e Policisë së Kosovës”, tha ai.

Sipas tij, në rast se Qeveria ofron përgjigje negative atëherë janë të detyruar të dalin në rrugë për të shprehur pakënaqësitë e tyre.

Ndërkohë, Partia Demokratike e Kosovës në opozitë, ka ftuar deputetët që ta miratojnë Projektligjin për tërheqjen e mjeteve nga Trusti Pensional.

Deputeti i kësaj partie, njëherësh iniciues i këtij Projektligji, Bekim Haxhiu, ka përsëritur thirrjen që Kuvendi t’iu mundësojë qytetarëve një tërheqje të re.

Sot është caktuar seanca e Kuvendit të Kosovës pikërisht me këtë pikë të rendit të ditës.

Asnjë koment

Comments are closed.