23-11-2024

Spitali i Prizrenit ka mungesë të barnave nga lista esenciale

Spitali i Prizrenit, i cili synohet të kthehet në një qendër terciare siç është edhe Qendra Klinike Universitare e Kosovës (QKUK), ka mungesë të theksuar të barnave nga lista esenciale, të materialit shpenzues, mungesa të disa aparaturave e po ashtu edhe të stafit mjekësor në Emergjencë

Drejtori i Spitalit të Prizrenit Afrim Avdaj në një intervistë për gazetën “Zëri” ka thënë se ky spital nga tremujori i parë i këtij viti deri më 27 qershor ka pasur 46,05% furnizim me barna dhe 18,73% me material shpenzues.

Përpos mungesës së barnave, ai ka treguar se ka mungesa edhe të autoambulancave, por edhe të disa aparaturave që merren me diagnostikimin e sëmundjeve.

Ndërsa shumë nga aparaturat me të cilat punohet në këtë spital, sipas tij, janë të vjetërsuara dhe të amortizuara, andaj edhe rastet që kanë nevojë për ekzaminime me aparaturë që nuk i posedon Spitali referohen për trajtim në QKUK.

Zëri: Si janë përgjithësisht kushtet në Spitalin e Prizrenit?

Avdaj: Kushtet e përgjithshme në Spital janë relativisht të mira, gjithnjë në përpjekje për përmirësim dhe për krijimin e kushteve sa më të mira për punë. Kemi shtretër të mjaftueshëm, ndërsa dhomat janë të pajisura me pajisjet e nevojshme.

Zëri: A ka furnizim të mjaftueshëm me barna nga lista esenciale dhe me material shpenzues, pra a i përmbushin ato kërkesat e të gjithë pacientëve?

Avdaj: Ajo që varet nga ne është se ne me kohë e bëjmë procedimin e kërkesave për furnizimin me barna dhe me material shpenzues.

Zëri: Sa është aktualisht përqindja e furnizimit me barna dhe me material shpenzues? 

Avdaj: Sipas statistikave, nga tremujori i parë i këtij viti deri më 27 qershor ka pasur 46,05% furnizim me barna dhe 18,73% me material shpenzues.

Zëri: A janë të gjitha aparaturat në funksion dhe në çfarë gjendjeje janë ato?

Avdaj: Shumica e pajisjeve janë aktive dhe funksionale. Në përgjithësi aparaturën e kemi të vjetërsuar dhe të amortizuar. Jemi në pritje të furnizimit me pajisje dhe me aparaturë të re sipas standardeve bashkëkohore. Disa nga aparaturat që janë jashtë funksionit janë në procedurë të servisimit.

Zëri: Cilat aparatura i mungojnë këtij spitali?

Avdaj: MRI – rezonanca magnetike, CT (ne posedojmë një CT, por që është dyshtresore dhe mjaft e amortizuar), laparaskopi gjinekologjik, plazma sterilizator.

Zëri: Si i keni trajtuar pacientët në mungesë të këtyre aparaturave?

Avdaj: Rastet që kanë nevojë për ekzaminime me aparaturë që ne nuk posedojmë ose gjatë kohës kur ato janë në defekt ne i dërgojmë në QKUK në Prishtinë ose në spitale të tjera të përgjithshme, me të cilat kemi bashkëpunim të ndërsjellë.

Zëri: A pritni që këtë vit të furnizoheni me to?

Avdaj: Po. Këtë vit presim që të furnizohemi me një CT të re dhe me një laparaskop të ri, ndërsa kemi premtime se deri në fund të këtij viti ose në fillim të vitit tjetër të furnizohemi edhe me një rezonancë magnetike, ndërkohë që jemi në procedurë të rregullimit të hapësirës (aneksit) për vendosjen e MRI-së.

Zëri: A ua ofroni të gjitha shërbimet mjekësore pacientëve?

Avdaj: Ne si Spital i nivelit sekondar i ofrojmë të gjitha shërbimet që i takojnë këtij niveli.

Zëri: Cilat shërbime nuk mund t’i ofroni dhe sa i referoni pacientët për në QKUK?

Avdaj: Rastet e nivelit terciar, si rastet neurokirurgjike, të kirurgjisë vaskulare, të kirurgjisë torakale e të kardiokirurgjisë. Të gjitha këto raste i dërgojmë në QKUK, ndërkohë që në vazhdimësi jemi duke bërë përpjekje që numri i pacientëve të referuar të jetë sa më i vogël. Në bazë të raporteve që kemi numri i pacientëve të referuar në QKUK është në rënie e sipër.

Zëri: Sa autoambulanca i ka Spitali dhe a janë të mjaftueshme ato?

Avdaj: Kemi tri autoambulanca. Nuk janë të mjaftueshme për nevojat e Spitalit. Kemi nevojë edhe për së paku dy autoambulanca të reja të pajisura për transferim të pacientëve.

Zëri: A keni nevojë për më shumë staf mjekësor?

Avdaj: Për momentin të gjitha shërbimet janë të mbuluara me numër të mjaftueshëm të mjekëve, me përjashtim të Emergjencës, ku numri i mjekëve specialistë nuk është i mjaftueshëm. Ndërkohë, vlen të theksohet se jemi në koordinim me Shërbimin Spitalor Klinik dhe Universitar të Kosovës (SHSKUK) që ky numër të rritet sipas standardeve. Më lejoni të ju informoj se në planin strategjik 2017-2021 të hartuar nga menaxhmenti i Spitalit në bashkëpunim me projektin “LuxDev” dhe me Ministrinë e Shëndetësisë (MSH) parashohim të nisim me shërbimet e kardiologjisë invazive dhe të spitalit për nëna dhe për fëmijë, për të cilat janë ndarë mjetet nga MSH-ja. Në ndërkohë, nga 1 korriku fillojnë punën tre mjekë të rinj kardiologë, të cilët do të jenë pjesë e projektit për Kardiologjinë Invazive. Gjithashtu po bëjmë përpjekje që Spitalin tonë ta bëjmë qendër terciare me të gjitha shërbimet e nevojshme.

Zëri: Sa jeni të kënaqur me kushtet e punës në të cilat punon stafi mjekësor?

Avdaj: Kushtet e punës në Spital janë të mira. Ne në vazhdimësi bëjmë intervenime për përmirësimin e kushteve të punës. Në vitin e kaluar kanë qenë 89.747 euro shërbime diagnostike, 334.867 euro të hyra nga participimi, 33.387 euro shpenzimet e ujit e 25.000 euro shpenzimet për karburante.

Zëri: A rrezikohen qytetarët nga infeksionet gjatë kohës sa trajtohen në Spital?

Avdaj: Infeksionet infrahospitalore parashihen në të gjitha institucionet shëndetësore kudo në botë. Ne në spital e kemi të themeluar Komisionin për Kontrollin e Infeksioneve Instrahospitalore, i cili mban takime të rregullta dhe në bazë të raporteve që posedojmë infeksionet intrahospitalore në Spitalin tonë janë në kufirin minimal.

Asnjë koment

Comments are closed.