Dikur ka qenë ndryshe, plot gjallëri, ndërsa aktualisht është i boshatisur.
Stacioni i trenit në Prizren, deri në vitet e ’90-ta të shekullit të kaluar ishte përplot me njerëz, të cilët udhëtonin nëpër vende të ndryshme të Kosovës, por edhe më larg, shkruan “Gazeta e Prizrenit”.
Qytetarët e Prizrenit dhe të disa fshatrave ishin mësuar me sirenat e lokomotivave të trenit, por që kjo gjë po u mungon tash e shumë vite.
Referuar shënimeve vija hekurudhore Klinë-Prizren, është ndërtuar në vitin 1963. Përgjatë saj kanë funksionuar një numër i konsiderueshëm i stacioneve hekurudhore, përmes të cilave është kryer si transporti i mallrave ashtu edhe i udhëtarëve.
Në këtë kontekst është edhe kënga e njohur ” N’ tren për Prizeren”.
Shumëkush nga banorët e kësaj ane, mbase mban edhe kujtime nga nisja për në ushtrinë e asaj kohe, dhe përcjellja që i bëhej në këtë vend, nga familjarët dhe miqtë, dhe kur sinjali për nisjen e trenit përcillej me shumë përqafime, përshëndetje, e mbase edhe lot.
Sot, linja e Prizrenit, dikur një nga pikat e rëndësishme tanimë e deformuar mbetet jashtë funksionit, ndërsa stacioni është boshatisur.
Komuna e Prizrenit në Planin Urbanistik nuk ka paraparë që të ekzistojë hekurudha në pjesën ekzistuese, por që të ndërtohet një Stacion i ri hekurudhor te Landovica, prej ku do të lidhet me Shqipërinë. /GazetaePrizrenit.net