26-04-2024

Suharekë: E pranojnë fajësinë gjashtë të akuzuar për vepra të ndryshme penale në bashkëkryerje

Sot, në Gjykatën Themelore në Prizren, dega në Suharekë e kanë pranuar fajësinë për veprat që u vihen në barrë nga Prokuroria Themelore e Prizrenit gjashtë të akuzuarit Arlind dhe Gezim Kuqi si dhe Nazmi, Sami, Liron, Ismet Krasniqi.

Pranimi i fajësisë nuk u kundërshtua as nga prokurori i çështjes Musli Gashi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Pas leximit të aktakuzës nga Prokurori Gashi, dhe pas pyetjes nga ana e gjyqtarit të çështjes Robert Tunaj se “a e ndjeni veten fajtorë” të pandehurit Arlind Kuqi, Gëzim Kuqi, Sami Krasniqi, Nazmi Krasniqi, Ismet Krasniqi, Liron Krasniqi kanë deklaruar se “e ndjejmë veten fajtorë dhe raportet i kemi rregulluar”, duke kërkuar nga gjykata që ta ketë parasysh këtë në rastin e vendosjes së dënimit.

Gjyqtari Tunaj, ka aprovuar pranimin e fajësisë dhe aktgjykimin ka vendosur që ta shpall më 23 shkurt 2021, në orën 15:00.

Ndryshe, sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren i pandehuri Arlind Kuqi akuzohet se më 15 korrik 2020 në fashtin Reshtan të Komunës së Suharekë tek shtëpia e Milazim Krasniqit, me qëllim t’i shkaktoj lëndime trupore të dëmtuarit/të pandehurit Sami Krasniqi ashtuqë pas një mosmarrëveshje paraprake lidhur me fejesën e mbesës së tyre me këtu të akuzuarin Arlind Kuqi, i pandehuri së bashku me Gëzim, Arlind e Shaban Kuqi shkojnë në oborrin e familjes Krasniqi, ku i pandehuri ia gjuan peshqirin e fejesës dhe kthehet në veturë. Aty fillon përplasja ku i akuzuari Kuqi e sulmon të dëmtuarin/pandehurin Sami Krasniqi me grushta në fytyrë duke kryer kështu veprën penale “lëndim i lehtë trupor nga neni 186 paragrafi 1 nën paragrafi 1.1  i KPRK-së.

Sipas pikës së dytë të aktakuzës, të akuzuarit Arlind dhe Gëzim Kuqi, po në ditën kritike si më lartë, meqenëse acarohet situata dhe eskalon në sulm  fizik ndaj Milazim dhe Nazmi Krasniqit ashtu që dy të dëmtuarve ju shkaktojnë lëndime të lehta trupore me pasoja të përkohshme të shëndetit, ku me këto veprime akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor” mga neni 185 paragrafi 1 nënparagrafi 1.4, lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

I akuzuari Gëzim Kuqi po ashtu akuzohet se ka kryer edhe veprën penale “sulmi” nga neni 184 paragrafi 1 i KPRK-së, ndaj të demtuarve/të pandehurve Ismet dhe Sami Krasniqi.

Sa i përket të pandehurve Milazim dhe Sami Krasniqi, po në ditën kritike, e sulmojnë të dëmtuarin Gëzim Kuqi me shkopinj prej druri send ky i përshtatshëm për të shkaktuar lëndim të rëndë trupor, duke i shkaktuar plagë mbretëse në dy muroret dhe në pjesën zverkore në kokë.

Me këto veprime akuzohen se në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “lëndim i lehtë trupor” nga neni 185 paragrafi 2 lidhur me paragrafi 1 nënparagrafi 1.4, lidhur me nenin 31 të KPRK-së.

Sipas pikës tjetër të aktakuzës të akuzuarit e lartëcekur i pandehuri Sami Krasniqi e sulmon me duar Arlind Kuqin i cili derisa ishte duke hipur në veturë të akuzuarit e sulmojnë më shkopinj prej druri mjet i rrezikshëm për shkaktimin e lëndimit të rëndë trupor, por nuk i shkaktojnë pasoja të njëjtit.

Me këto veprime në bashkëkryerje kanë kryer veprën penale “sulmi” nga neni 184 paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1 dhe nënin 31 të KPRK-së.

Ndërsa të pandehurit Ismet, Nazmi dhe Liron Krasniqi në po të njëjtin vend me dashje përdorin forcën ndaj të dëmtuarve/pandehurve Gëzim dhe Arlind Kuqi ashtuqë të pandehurit i sulmojnë me grushta në pjesë të ndryshme të trupor por nuk i shkaktojnë lëndime trupore. Me këto veprime akuzohen se kanë kryer veprën penale “sulmi” nga nëni 184 paragrafi 1 lidhur me nenin 31 të KPRK-së. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.