17-05-2024

Suharekë: Prokuroria kërkon dënim për tentim vrasjen në Bllacë, mbrojtja lirimin

Prokuroria Themelore në Prizren, ka kërkuar që të shpallen fajtorë të akuzuarit Pajtim dhe Agim Suka, për veprat penale të vrasjes së mbetur në tentativë, armëmbajtjes pa leje dhe asaj të lëndimit të lehtë trupor.

Një propozim të tillë e ka dhënë prokurorja Ervehe Gashi, në seancën e së mërkurës në Gjykatën Themelore në Prizren, ku është dhënë fjala përfundimtare në këtë rast.

Prokurorja Gashi, fjalën përfundimtare, gjykatës ia ka dorëzuar në formë të shkruar, e më pas gjatë elaborimit të së njëjtës, ka propozuar se të akuzuarit Suka, gjykata duhet t’i shpallë fajtorë dhe t’i dënojë sipas dispozitave të parapara me ligj.

“Nga provat materiale të cilat janë propozuar nga prokuroria dhe janë administruar në shqyrtim gjyqësor të caktuar nga ky trup gjykues, nga deklarata e dëshmitarëve dhe ajo e të dëmtuarve, si dhe nga dëgjimi i ekspertit mjekoligjor, është vërtetuar gjendja faktike e përshkruar si në aktakuzë, nga këto prova konsideroj se janë përmbushur elementet e veprës penale, për të akuzuarin, Pajtim Suka, si dhe për secilin janë përmbushur elementet e veprës, mbajtja në kontroll ose posedim të armës”, tha prokurorja Gashi.

Ajo tha se gjatë matjes së dënimit, gjykata të merr parasysh rrethanat rënduese, dhe të shqiptojë dënimet unike në kufijtë e maksimumit dhe minimumit ligjor.

Në anën tjetër, mbrojtësi i të akuzuarit Pajtim Suka, avokati Bashkim Nevzati, ka thënë se aktakuza ashtu si është paraqitur në fjalën përfundimtare të prokurores Gashi, paraqet një akt, i cili nuk ka bazë të duhur dhe të mjaftueshme në provat të cilat janë propozuar nga organi i akuzës.

“Përshkrimi faktik i dispozitivit nën një të aktakuzës, është kontradiktor me veten po edhe me provat të cilat janë administruar gjatë shqyrtimit kryesor. Kështu kemi konstatimin se janë shkrepur pesë fishekë të paidentifikuar me një pistoletë të panjohur, si dhe më tej kemi konstatimin e përdorimit të shkopit metalik (hebëll), dhe vazhdimin e goditjes, nga ajo që është vërtetuar me provat e administruar, qëndron vetëm se janë gjetur pesë gëzhoja të një armë të vetme, dhe është konstatuar se ekzistojnë gërvishtje të cilat nuk mund të specifikohen”, tha avokati Nevzati.

Ai tha se, sqarime më të hollësishme lidhur me këtë pjesë, eksperti mjekoligjor nuk ka mundur të jep.

“Nga njëri prej të dëmtuarve të dëgjuar në këtë proces gjyqësor, se këta të akuzuar nuk janë kryesorët, ata kryesorët mungojnë, një sqarim i këtillë tregon se në fakt lëndimet eventuale kanë mund të shkaktohen nga personat e tjerë të pa përfshirë në aktakuzë”, ka thënë avokati Nevzat.

Më pas, me kërkesën e prokurores Gashi, se e njëjta pas pauzës së drekës, do të jetë e zënë me marrjen në pyetje të palëve në procedurë, gjykatësja Raima Elezi, shqyrtimin e radhës në të cilin do të vazhdojë dhënia e fjalës përfundimtare e ka caktuar më 19 dhjetor 2018, në orën 13:00.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Prizren, ngritur në nëntor të vitit të kaluar, të pandehurit Pajtim dhe Agim Suka, akuzohen se më 1 qershor 2017, në fshatin Bllacë, Komuna e Suharekës, në bashkëkryerje tentojnë ta privojnë nga jeta personin tjetër, në atë mënyrë që pas një mosmarrëveshje paraprake në mes të pandehurve dhe të dëmtuarve, Sherif dhe Rrahim Suka, i pandehuri Pajtim Suka, nga ulësja e traktorit të cilin ishte duke e drejtuar, nxjerrë pushkën automatike “AK-47”, me të cilën shkrep një rafal prej pesë fishekëve në drejtim të dëmtuarit Sherif Suka.

Me këtë si bashkëkryerës kanë kryer veprën penale të vrasjes së mbetur në tentative, nga neni 178 lidhur me nenin 28 dhe 31 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Më pas, sipas akuzës, i pandehuri, Agim Suka, shkrep në drejtim të dëmtuarit Sherif Suka, me një pistoletë të tipit të panjohur, pastaj nga bagazhi i automjetit të cilin e kishte drejtuar i pandehuri Agim, që të dy të pandehurit marrin nga një shkop metalik, dhe vazhdojnë t’i godasin të dëmtuarit me to nëpër pjesë të ndryshme të trupit, duke i shkaktuar lëndime në formë të plagëve sclopetare (nga arma e zjarrit) në kokë abdomen dhe në të dy kofshët, dhe gërvishtje në kokë dhe dy shuplakët e duarve.

Po ashtu të akuzuarit ngarkohen edhe me veprën penale “mbajtje në pronësi kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” nga neni 374 parag 1 të KPRK, si dhe veprën penale “lëndim i lehtë trupor”, nga neni 188 parag 2 të Kodit Penal të RKS. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.