05-02-2025

Supremja vërteton vendimin për t’ia ulur pagën për 6 muaj prokurorit, Musli Gashi

Gjykata Supreme e ka refuzuar si të pabazuar ankesën e prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, Musli Gashi, ndaj vendimit të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK).

Vendimi i marrë nga KPK-ja më 25 nëntor 2024, i ndalonte prokurorit Gashi 30 përqind të pagës për gjashtë muaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Paga i ishte ndaluar duke u bazuar në komunikimet që Gashi i kishte zhvilluar me Shkodran Pulaj, tashmë të akuzuar për “Shitblerje të drogës”, “Dhunim”, “Dhënie ryshfeti” dhe “Armëmbajtje pa leje”, e për të cilat ka raportuar “Betimi për Drejtësi” në emisionin e transmetuar më 2 mars 2024, me titull: “Shkodran Pulaj, protagonist i pazarllëqeve me gjykatës, prokurorë e policë”.

Gjykata Supreme, vlerëson se sanksioni disiplinor i shqiptuar nga Këshilli, është në përputhje të plotë me parimin e proporcionalitetit për faktin se me rastin e vendosjes ka marrë parasysh seriozitetin e shkeljes disiplinore të kryer nga prokurori, pasojat e shkeljes disiplinore, rrethanat në të cilën është kryer shkelja disiplinore, përformanca dhe sjellja e përgjithshme e prokurorit si dhe sjellja dhe bashkëpunimi i prokurorit në procedurën disiplinore, rrethana këto që kanë ndikuar gjetjen e nivelit të proporcionalitetit, në mes të shkeljes disiplinore dhe masës disiplinore, sic përcaktohet me nenin 7 paragrafi 2 të Ligjit për Përgjegjësinë disiplinore të Gjyqtarëve dhe Prokurorëve”, thuhet në arsyetimin e Supremes.

Kundër vendimit të KPK-së prokurori Gashi në afat ligjor ka paraqitur ankesë, duke atakuar këtë vendim për shkak të shkeljeve procedurale të përcaktuara me Rregulloren për Procedurën Disiplinore të Prokurorëve si dhe Ligjit për Përgjegjësit e Gjyqtarëve dhe Prokurorëve, duke i propozuar Supremes që ankesa e tij të aprovohet si të bazuar, ndërsa vendimin e Këshillit ta anulojë duke e liruar të njëjtin nga përgjegjësia disiplinore.

Prokurori Gashi ishte arsyetuar se komunikimet me Pulajn i kishte zhvilluar në kohën kur i njëjti nuk kishte qenë i dyshuar për disa vepra penale.

Mirëpo, ky pretendim nuk është vlerësuar si relevant nga Supremja, pasi Pulaj kishte qenë edhe më herët i dënuar për vepra të tjera penale.

“..përveç këtyre veprave penale për të cilat dyshohet, i njëjti ka qenë edhe më parë i dënuar për vepra të tjera penale dhe kjo vërtetohet nga shkresat e lëndës të bashkangjitura nga subjekti hetues, prandaj një pretendim i tillë është në tërësi i pa bazuar dhe nuk e largon nga përgjegjësia disiplinore prokurorinë në fjalë”, thuhet tutje në arsyetim të Supremes.

Komunikimet mes prokurorit Gashi me tani të akuzuarin Shkodran Pulaj ishin zhvilluar më 6 janar 2023 me shkrim dhe me zë.

“..Shkodran Pulaj në komunikimin e datës 03.04.2023, i drejtohet prokurorit Gashi me fjalët “për atë që të thash, le njëherë mos u ngut”, prokurori i dërgon “Ok”. Më datë 01.06.2023 në rrjetin social Messenger fb, dhe pas bisedës me zë, komunikon me shkrim, ku Pulaj e pyet: “A mos u takove mo me atë”, prokurori i përgjigjet “po” dhe Pulaj vazhdon komunikimin “ajt dil kur të mundesh rrimë”, ndërsa prokurori i përgjigjet “javën tjetër jam në Suharekë ndalem, se sot jam i lodhen flm i nderuar”, pasqyrohet komunikimi mes tyre në arsyetimin e Supremes.

Ndërsa në një komunikim tjetër, prokurori Gashi i ishte drejtuar Pualjt me fjalët “ja ta kom ja ma ki ni trileqe”, dhe Pulaj i ishte përgjigjur “ta kom”.

Të ngjajshme

Mirëpo, nga provat e siguruara nuk ekzistojnë asnjë komunikim i zhvilluar për inventar.

Në anën tjetër, në seancën disiplonore të zhvilluar nga Këshilli Prokurorial i Kosovës më 25 nëntor 2024, prokurori M.K anëtar i KPK-së, nga Prokuroria Themelore në Prizren, kishte deklaruar se “Qysh në vitin 2016, kur i njëjti ishte dekretuar prokuror, ish- Kryeprokurori i PTH- Prizren, i kishte ftuar të gjithë në mbledhjen e parë të cilët i kishte udhëzuar që mos të hynë në këtë lokal (në lokalin e Shkodran Pulaj), e dini kush janë këta persona, as për kafe, as për ushqim, nuk kisha dashtë me ju pa në atë lokal, ndërsa prokurori Musli Gashi kishte vazhduar ta frekuentonte këtë lokal”.

“Betimi për Drejtësi” kishte kërkuar për këtë sqarime nga prokurori Gashi, i cili fillimisht ka mohuar komunikimet me Pulajn e më pas kur është pyetur se çfarë komunikime ka pasur me të ka kërkuar që të kontaktohet zëdhënësi i Prokurorisë.

Gazetarja: Jam Alberta Hashani gazetare e emisionit “Betimi për Drejtësi”.
Prokurori Gashi: Përmes zëdhënësit.

Gazetarja: Vetëm desha shkurtimisht të lutem për rastin e Shkodran Pulajt.
Prokurori Gashi: Hiç kurgjo nuk ka nevojë, jemi për seancë.

Gazetarja: Keni pas komunikime me të?
Prokurori Gashi: Jo.

Gazetarja: Në çfarë relacioni keni pas komunikime me të?
Prokurori Gashi: Hiç, përmes zëdhënësit”.

Ndaj Gashit, KPK ka shqiptuar edhe një masë tjetër disiplinore pas raportimit të “Betimit për Drejtësi”.

Të njëjtit i është ndaluar 30 përqind e pagës për 3 muaj, pasi i njëjti ishte takuar me të pandehur në fazën e ankesës, dhe kishte konsumuar alkool në orar të punës.

Asnjë koment

Comments are closed.