Drejtori i Arsimit në Prizren, Skënder Susuri, ka mohuar pretendimet e PDK-së, se largimi nga puna i shtatë mjekëve, të cilët njëkohësisht kanë qenë edhe mësimdhënës në shkollën e mjekësisë “Luciano Motroni” të ketë motive politike, derisa ka sqaruar se bëhet fjalë për përfundim të kontratës.
Susuri, në një bisedë për Tv Prizreni ka thënë se kjo ka ndodhur pasi atyre u ka skaduar kontrata e punës, dhe ka shtuar se në sektorin e arsimit do të punojnë vetëm ata mësimdhënës të cilët nuk kryejnë punë sekondare.
Dega e PDK-së në Prizren, sot ka reaguar ndaj siç thuhet largimit të 7 mjekëve, duke thënë se arsyet e këtij veprimi janë politike, për t’i zëvendësuar ata me militantë partiak të pushtetit aktual.
Në një komunikate për medie nga ky subjekt, thuhet së në këtë shkollë orët e lëndëve mjekësore nuk janë duke u mbajtur, për arsye të largimit nga puna të mësimdhënësve – mjek specialist, me përvojë të gjatë në mësimdhënie.
Susuri, ndërkaq ka thënë se në rast të pretendimit të të larguarve se kemi të bëjmë me shkelje ligjore, ata mund t’i drejtohen organeve kompetente.
Ai gjithashtu ka thënë se largimi i tyre nga puna nuk ka të bëjë fare për motive politike./GazetaePrizrenit.net/
https://gazetaeprizrenit.net/2018/09/04/pdk-e-sheh-si-politik-largimin-e-7-mjekeve-nga-shkolla-e-mjekesise-ne-prizren/