Talentët e rinj që paralajmërojnë teatër në Gjonaj të Hasit
Një grup entuziastësh kanë nisur dhe po përpiqen ta mbajnë gjallë frymën e teatrit në Gjonaj të Hasit, njërin nga fshatrat më të mëdha të kësaj treve.
Studenti i dramaturgjisë në Prishtinë Pashtrik Brahaj, ka mbledhur nxënës të shkollës së mesme “Gjon Buzuku” në Gjonaj, dhe ata të shkollës fillore, duke i “ngarkuar” me role aktorësh, për të performuar në vendlindjen e tij.
Ditë më patë ata kanë shfaqur komedinë “Gjyq shtëpiak” në shtëpinë e kulturës “Reshat Çoçaj”, ndërsa tema e trajtuar është çështja e hises së motrave te babai, e vajzës te babai, e cila është diskutuar dhe po diskutohet ende në vendin tonë. Kësaj radhe e paraqitur tek publiku në zhanrin e komedisë, duke i bërë të vetëdijshëm për këtë të drejtë me anë të së qeshurës.
Aty kanë interpretuar Elvira Jahaj, Shkelqim Çoçaj, Nderim Brahaj, Donita Osmanollaj, Elona Çoçaj, Arber Çoçaj, Arita Osmanollaj, Elvin Çoçaj, Rinesa Osmanollaj, Fjolla Rexhbeqaj, Enis Brahaj e Butrint Osmanollaj.
Kjo është komedia e tretë me radhë e cila është punuar dhe shfaqur këtu, ku publiku hasjanë e ka mirëpritur këtë aktivitet të regjisorit dhe aktorëve të rinj, pasi ka sjellur diçka që ka munguar kohë të gjatë në mesin e tyre.
Brahaj e vlerëson interesimin dhe angazhimin e tyre, duke e quajtur frytdhënës. “Shpresoj që me kalimin e kohës këta të rinj të ndjekin edhe Aktrimin në fakultet për studim, dhe kështu t’i realizojnë ëndrrat e tyre”, tha ai për portalin “Gazeta e Prizrenit.net”.
Në aktivitetin teatral, ndërkaq mungon ndonjë përkrahja, të cilët këta entuziastë e presin në të ardhmen, për t’i dhënë mundësi vazhdimit të shfaqjeve, por edhe zbulimit të talentëve të rinj nga fusha e aktrimit.
Brahaj tha se të gjitha shpenzimet rreth shfaqjes apo bëhet me forca personale, ndërsa nuk do ta harron përkrahjen morale të banorëve dhe gatishmërinë për t’i përcjellë ato. “Fatmirësisht deri më tani këta janë arsyeja dhe motivi im dhe i aktorëve për të sjellur shfaqje të tjera”, ka thënë ai.
Ndryshe dy vjet më parë, Brahaj ka marrë çmimin e tretë me dramën “Shtrati me gozhda”, të ndarë nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, për Dramë Origjinale Shqipe “Katarina Josipi”./GazetaePrizrenit.net/