23-11-2024

Të arrestuarit për tërmetin sot para gjykatës

Nëntë personat e arrestuar të shtunën e 14 dhjetorit për shembjen e godinave pas tërmetit të 26 nëntorit do të dalin sot para gjykatës së Durrësit për masën e sigurisë.

Në listën e bërë publike prej policisë, me 9 të ndaluar është dhe 53 vjeçari Kujtim Hasa, në cilësinë e shefit të shërbimeve të shtëpisë së pushimit të Ministrisë së Brendshme.

Ai do të akuzohet për veprën “Vrasja me dashje”. Ndërkaq Ahmet Doda, 52 vjeç, drejtor i këtij institucioni është ndaluar me akuzën “Shpërdorimi i detyrës”.

Shkak për këtë veprim është vdekja e kryekomisar Bajram Hajdarmetaj. Pavarësisht se kovalishenca ishte shpallur objekt i pabanueshëm, ai u lejua të kalonte natën, çka rezultoi fatale, pasi objekti u shemb.

Në pranga janë vënë edhe dy ndërtues informal, 79- vjeçari Rruzhdi Xheka për objektin Hotel “Mira Mare”, ku humbën jetën 2 shtetas, dhe Avdulla Osmani, 61 vjeç për ndërtimin në “Hotel Tropikal”, ku humbën jetën 2 shtetas kosovarë.

Megjithatë prangave u ka shpëtuar ndërtuesi i vilës Lala ku humbën jetën 8 persona.

Hetimet do të vazhdojnë edhe më tej, për shkeljet e bëra jo vetëm në objektet që sollën viktima, por dhe ato të dëmtuara.

Në prokurorinë e Durrësit janë marrë në pyetje më shumë se 90 persona mes tyre inxhinierë, pronarë objektesh dhe zbatues.

Ndërsa hetimet përfshinë të paktën 60 kompani ndërtimi. Si pasojë e hetimeve të derimëtanishme fletëarrestet u prenë për 17 persona./oranews/

Asnjë koment

Comments are closed.