Sipas njoftimit të Policisë, gjatë javës së kaluar në Prizren dhe Suharekë janë konfiskuar tri pistoleta dhe një armë automatike AK-47. Në dy prej rasteve, armët janë sekuestruar pas informacioneve të pranuara nga qytetarë anonimë, të cilët kishin raportuar për të shtëna me armë gjatë gazmendeve familjare.
Në tre nga katër rastet, të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë me vendim të prokurorit, ndërsa ndaj tyre janë iniciuar procedura penale për veprat “Mbajtje, kontroll apo posedim i paautorizuar i armës” dhe “Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.
Policia e Kosovës ka theksuar se mbetet e përkushtuar në luftimin e posedimit të paligjshëm të armëve dhe u ka bërë thirrje qytetarëve që të raportojnë çdo rast të përdorimit të armëve, duke rikujtuar se të shtënat në ahengje dhe gazmende familjare përbëjnë rrezik serioz për jetën dhe sigurinë e qytetarëve.

