Testimi i mësimdhënësve si ‘vetting’ në arsim
Të gjithë ata mësimdhënës që janë punësuar në shkolla të ndryshme të Kosovës me ndihmën e partive politike, nuk duhet t’u japin mësim nxënësve, thotë Ymret Reshitaj kryetar i Këshillit të Prindërve i Kosovës.
Sipas tij, në Kosovë ka shumë mësimdhënës, të cilët janë punësuar në baza partiake, familjare dhe pa meritë në njëzet vjetët e fundit dhe kjo ka bërë që jo profesionalizmi i tyre, të reflektohet në mësimnxënie te nxënësit.Ditëve të fundit, Sindikata e Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK), ka kundërshtuar idenë për testimin me shkrim të mësimdhënësve në Kosovë.
Duke folur për këtë proces, Ymret Reshitaj tha për Radion Evropa e Lirë, se mësimdhënësit të cilët e kanë të merituar vendin e punës, nuk duhet të kenë frikë nga asnjë vlerësim i performancës.
“Kjo është ide e mirë, që të bëhet një vlerësim dhe të dallohet ai person që ka ardhur në mënyrë të merituar, pa të njohshëm, pa ndikim të politikës, që të jetë mësimdhënës dhe ta vazhdoj detyrën dhe ata të cilët rastësisht i ka sjellë politika ose lidhjet familjare, të cilët konsiderojmë se është e dëmshme ata të qëndrojnë në arsim dhe t’u japin mësim fëmijëve, kur e dimë që atyre u mungon përgatitja që të jenë mësimdhënës”, thotë Reshitaj.
Në Programin për vlerësim ndërkombëtar PISA, në vitin 2019, Kosova është renditur në vendin e 77-të për cilësi të dobët në arsim, nga 79-të vende të cilat i janë nënshtruar këtij vlerësimi. Kosova ka gjithsej 22,585 mësimdhënës.
SBASHK-u kundër testimit
Kryetari i Sindikatës së Bashkuar për Arsim, Shkencë dhe Kulturë (SBASHK), Rrahman Jashari, tha për Radion Evropa e Lirë se edhe nga qeveritë e kaluara, është përmendur ideja për testimin e mësimdhënësve.
Ai tha se SBASHK-u ka qenë dhe do të jetë gjithmonë kundër testimit me shkrim të njohurive të mësimdhënësve. Por Jashari tha edhe se puna e mësimdhënëseve, duhet të monitorohet nga inspektorët e arsimit.
“Një testim i tillë është degradues dhe nënçmues për punëtorët e arsimit, ngase ata janë testuar dhe kanë dëshmuar për njohuritë e tyre në fakultete dhe janë kuadro të diplomuar. Në vend të kësaj, ne kemi insistuar vazhdimisht që të forcohet sektori i inspektorëve të arsimit, të cilët do të shkojnë të inspektojnë orët dhe të shohin nga afër punën e mësimdhënësve që e bëjnë me nxënës”, thotë Jashari.
MASHTI thotë se u keqkuptua
Në Ministrinë e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI), thonë se ministrja Arbërie Nagavci, nuk e ka hapur këtë debat në lidhje me testimin e mësimdhënësve. Përmes një përgjigje me shkrim nga zyra për media e kësaj ministrie, thuhet se “prioritet i MASHTI-t, është përfundimi me sukses i këtij viti shkollor dhe përmirësimi i mangësive të shkaktuara nga pandemia.
“Na vjen keq që përfaqësues të Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, kanë përhapur tema të paqena. Vlerësimi i performancës së mësimdhënësve është një nga qëllimet tona dhe do të bëhet bazuar në një planifikim të mirë dhe në konsultim me të gjitha palët me interes”, thuhet më tej në përgjigje.
Rinor Qehaja, drejtor në Institutin për Studime të Arsimit “EdGuard”, tha se vlerësimi i performancës së mësimdhënësve, është i përcaktuar ligjërisht dhe ky vlerësim sipas tij nuk parasheh testimin.
Qehaja tha se testimi nuk është prezantuar as si objektiv qeveritar dhe nxitja për debat sipas tij, ka për burim një keqkuptimin institucional mes MASHTI-t dhe SBASHK-ut.
“Testimi paraqet një instrument të kufizuar që edhe po të prezantohej, nuk do të mund të përcaktonte me saktësi përgatitjen profesionale të mësimdhënësve. Mësimdhënia përbëhet nga shumë komponentë, vlerësimi i të cilave kërkon përkushtim dhe kapacitet profesional”,tha Qehaja.
Sektori i arsimit në Kosovë për vite me radhë, është përballur me probleme të mëdha dhe pa përmirësim të duhur në fusha të caktuara. Nxënësit në Kosovë, sipas një raporti të Bankës Botërore të publikuar në shtator të vitit të kaluar, kanë ngecje të theksuar në mësimnxënie.
Sipas Bankës Botërore, një fëmijë që ka shkuar në shkollë plot 13 vjet, deri kur i ka mbushur 18 vjet, në realitet ka bërë vetëm 7.5 vjet mësim. Pra, sipas BB-së, ka një hendek të mësimnxënies prej 5.3 vjetësh.
Institucionet e vendit, janë kritikuar për mosndarje të mjaftueshme të mjeteve financiare për arsimin. Nga 2.3 miliardë euro të buxhetit të Kosovës, në vitin 2019, për shpenzimet në arsim ishin ndarë jo më shumë se rreth 300 milionë euro.