18-04-2024

Tetë mjekë e infermierë në Prizren të infektuar me COVID-19, pritet testimi i rreth 40 personave tjerë

Tetë mjekë e infermierë të Spitalit Rajonal të Prizrenit mbrëmë kanë rezultuar pozitiv për COVID-19. Ata janë raste kontakti të infermieres, e cila doli pozitive para dy ditësh. Detaje rreth këtyre rasteve ka dhënë Drejtori për Shëndetësi, Visar Shehu.

Shehu i ka thënë Gazetës Express se nga rastet e konfirmuara mbrëmë, tetë prej të infektuarve janë punëtorë shëndetësor të Spitalit Rajonal të Prizrenit dhe një rast është familjar i infermieres, që rezultoi pozitive para dy ditësh.

“Mbrëmë janë konfirmuar nëntë raste të reja me koronavirus në Prizren. Tetë prej të infektuarve janë nga Spitali Rajonal i Prizrenit dhe vetëm një është familjar. Në mesin e të infektuarve nga Spitali i Prizrenit janë mjekë e infermierë, sa kam informacione nga reparti i dializës”, ka thënë Shehu.

I pari i shëndetësisë në këtë komunë ka deklaruar se sot pritet të bëhet testimi i së paku 34 personave, që kanë pasur kontakt me të infektuarit.

“Sot pritet që të testohen 34 mostra, por ka mundësi që gjatë ditës të shtohen edhe 10 mostra, ende nuk është e sigurtë”, ka thënë Shehu për Express.

Ndryshe, mbrëmë janë konfirmuar 39 raste të reja me COVID-19 në Kosovë. Me këtë shifër, numri i të gjithë të infektuarve shkon në 669 raste. Deri tani janë shëruar 159 të infektuar, derisa 19 të tjerë e kanë humbur betejën me koronavirusin.

“Sot më 23 prill 2020, në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 255 mostra të marra nga Klinika Infektive, gjurmimi i kontakteve të rasteve në terren si dhe nga karantina në Qendrën studentore. Me SARS-CoV-2, janë diagnostikuar gjithsej tridhjetë e nëntë (39) raste”, ka njoftuar Instituti.

Rastet e konfirmuara mbrëmë janë raste kontakti nga Peja, Prizreni, Mitrovica e Veriut, Istogu dhe Zveçani.

“Rastet pozitive janë raste kontakti, njëzet e gjashtë (26) raste nga komuna e Pejës (sipas vendbanimit: pesëmbëdhjetë (15) raste Katund i ri dhe njëmbëdhjetë (11) raste Pejë), nëntë (9) raste me vendbanim në Prizren, dy (2) raste me vendbanim në Mitrovicën e Veriut dhe me nga një (1) rast vendbanimet: Kërninë-Istog dhe Zveçan”, thuhet në njoftimin e IKShP-së.

Më qëllim të parandalimit të përhapjes së sëmundjes Covid-19, që shkakton koronavirusi, javën e kaluar në Kosovë kanë hyrë në fuqi masat e reja të qarkullimit të qytetarëve.

Bazuar në masat e vendosura nga Ministria në detyrë e Shëndetësisë, qytetarët mund të dalin nga shtëpitë e tyre vetëm për 90 minuta në ditë, me qëllim furnizimi.

Orari i daljes është i organizuar në shtatë grupe, nga ora 07:00 deri në 22:30, dhe përcaktohet nga numri i parafundit personal në letërnjoftim.

Këto masa do të vlejnë deri më 4 maj, porse do të shqyrtohen në varësi të rezultateve, jo më vonë se data 30 prill. /Gazeta Express

Asnjë koment

Comments are closed.