Fshatrat Nashec dhe Grazhdanik në të ardhmen pritet të kenë vështirësi sa i përket hapësirave për varreza, shkruan sot “GazetaePrizrenit.net”.
Një parcelë, pronë publike në sipërfaqe prej afro 3 hektarë, që ndodhet në trekëndëshin në mes të fshatrave Nashec-Grazhdanik dhe Atmaxhë, të cilën Kuvendi Komunal (KK) i Prizrenit, në vitin 2017 sipas kërkesës së kuvendarit Shukri Quni ia pat dedikuar këtij qëllimi, kjo nuk ndodhi.
Ndonëse KK miratoi një vendim që kjo tokë të rezervohet për nevoja të varrezave, Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP) këtë fillim vit i nxori në shtije 2 hektarë nga kjo sipërfaqe.
Pasi ka parë këtë njoftim, kuvendari Quni ka thënë për portalin “Gazeta e Prizrenit” se është interesuar në AKP, por atje i është thënë se askush nga organet komunale nuk e kishte përcjell vendimin e KK-së.
Më pas këtë çështje Quni e ka ngritur edhe në organin më të lartë lokal, në KK, duke kërkuar ndërhyrjen e autoriteteve komunale.
Kryesuesi i KK-së, Artan Abrashi, gjatë mbledhjes së fundit ia ka sqaruar Qunit se në takimin e kryetarit me personin përgjegjës të AKP-se, ka mësuar se për fat të keq parcela ndodhet në procedurën e likuidimit dhe se nuk ka ndonjë mundësi për të bërë diçka në këtë drejtim.
Ndryshe, përpos Prizrenit që tashmë ka përgatit lokacionin e ri të varrezave të reja, vështirësi me hapësirat e nevojshme për varreza kanë edhe disa fshatra të kësaj komune.
Sipas burimeve të Gazetës, disa sosh sikur Ramaja e Hasit janë në kërkim të blerjes së një toke për varrezat e reja./GazetaePrizrenit.net/