Trafiku rrugor ndër “vrasësit” më të mëdhenj në Kosovë
Të paktën 100 të vdekur dhe mijëra të lënduar është bilanci i aksidenteve rrugore që është prezantuar nga Policia e Kosovës për vitit 2019.
Sipas raporteve të rregullta të policisë që publikohen pas aksidenteve, si dhe ekspertëve të komunikacionit, shkaqet më të shpeshta që çojnë në aksidente janë mosrespektimi i shenjave të komunikacionit, mospërshtatja e ngasjes së makinave me kushtet në rrugë dhe kushtet atmosferike, si dhe përdorimi i telefonit gjatë ngasjes.
Gjatë vitit 2019, sipas Policisë së Kosovës, ndonëse janë shqiptuar më shumë se 400 mijë tiketa apo gjoba, kanë ndodhur rreth 15 mijë aksidente, si pasojë e të cilave të paktën 100 persona kanë humbur jetën.
Pavarësisht numrit prej më shumë se 400 mijë gjobave të shqiptuara, qytetarët mendojnë se Policia e Kosovës nuk po tregohet aq efikase me ndërmarrjen e masave parandaluese.
Meriton Salihu nga Prishtina thotë se si ngasësit, ashtu edhe këmbësorët, duhet të kenë kujdes meqë, siç thotë ai, nga viti në vit po përsëritet numri i njëjtë i vdekjeve të njerëzve në komunikacion.
“Unë, si qytetar, mendoj se përdorimi i telefonave gjatë ngasjes e që rastis t’i shoh më së shpeshti si dhe shpejtësia e madhe janë ato që më së shpeshti i shkaktojnë aksidentet. Por, mendoj edhe këmbësorët, ngase nuk janë raste të rralla që goditen nga veturat, duhet të bëjnë kujdes para se ta kalojnë rrugën. E sa i përket policisë, nuk di çfarë të them rrallë i shoh në komunikacion, të mos them fare”, thotë ai.
Por, Daut Hoxha, zëdhënës në Policinë e Kosovës thotë se pakujdesia, përqendrimi i pamjaftueshëm dhe tejkalimi i shpejtësisë, mbeten ndër shkaktarët e aksidenteve rrugore që si pasojë kanë humbjen e jetëve të njerëzve. Prandaj, thotë ai, drejtuesit e automjeteve janë bartësit kryesorë të përgjegjësive gjatë pjesëmarrjes në trafik.
“Përderisa gjatë kësaj periudhe të vitit në vendin tonë kanë humbur jetën më shumë se 100 persona, si pasojë e pakujdesisë në drejtimin e automjeteve apo në çfarëdo forme tjetër të pjesëmarrjes në trafik, Policia e Kosovës vlerëson se është e nevojshme që të kemi një angazhim edhe më të madh ndërinstitucional dhe masa aktive duhet të ndërmerren në vazhdimësi për të krijuar rrethana më të favorshme që numri i aksidenteve, në veçanti i atyre me fatalitet, të reduktohet edhe më tej”, thekson Hoxha.
Eksperti i komunikacionit, Nol Deda, thotë për Radion Evropa e Lirë se autoritetet shtetërore në Kosovë, nuk kanë krijuar sektorë të veçantë, që do të merreshin me analiza dhe preventiva të aksidenteve të komunikacionit.
“Kosova nuk ka institut, nuk ka agjenci të sigurisë rrugore, nuk ka institut që do të merrej me hulumtimin e aksidenteve, faktorëve dhe elementeve të tyre, nuk ka masa preventive. Unë nuk shoh masa preventive që janë duke u ndërmarrë, përpos policisë që dalin në rrugë, ndalin automjete dhe i dënojnë në rast të tejkalimit të shpejtësisë”, thotë Deda.
Drejtori i Klinikës Emergjente në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, Basri Lenjani, bën të ditur se gjatë vitit 2019 ka pasur rritje të numrit të pacientëve që kanë kërkuar ndihmë mjekësore, si pasojë e aksidenteve në komunikacion.
“Klinika Emergjente ka pranuar mijëra qytetarë të aksidentuar. Të gjitha rastet që sillen edhe nga qytetet tjera, për shkak të mungesës së mjekëve specialistë atje, kërkojnë shërbime në QKUK, përkatësisht në Klinikën Emergjente. Andaj, kemi pasur numër të shtuar të pacientëve të aksidentuar. Nëse krahasohet viti i kaluar me këtë vit, numri ka qenë më i madh, por ajo çka e dallon vitin e kaluar nga ky vit, është se në Klinikën Emergjente ka numër më të vogël të vdekjeve të personave të aksidentuar”, shpjegon Lenjani.
Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik prej vitesh po e cilëson si alarmante gjendjen në komunikacion dhe numrin e madh të aksidenteve. Sipas këtij Instituti, deri tani është ndërmarrë shumë pak në parandalimin e aksidenteve, duke theksuar se “qytetarët e Republikës së Kosovës janë të kërcënuar nga aksidentet e trafikut rrugor, e sidomos është brengosës fakti se ndër viktima ka të përfshirë fëmijë”.
Edhe Zyra Kombëtare e Auditimit gjatë prezantimit të raportit të performancës ‘Siguria në trafikun rrugor’, ka konstatuar se siguria në trafik përbën një prej problemeve më të mëdha aktualisht.