23-11-2024

Tragjedi në Dragash: Shkaku i COVID-19, dy vëllezër vdesin brenda 3 ditëve

Një tragjedi ka ndodhur në familjen Qafleshi nga Dragashi. Brenda tri ditësh kjo familje ka humbur dy persona si pasojë e koronavirusit.

Vëllezërit Shemsedin dhe Avdurrahim Qafleshi nuk kanë arritur ta fitojnë betejën me koronavirusin. Kështu njëri ndërroi jetë në moshën 57 vjeçe e tjetri në të 60-at.

Lexo Edhe:

Zhduket një person në Prizren

Të dy ishin duke u trajtuar në Spitalin Rajonal të Prizrenit.

Lidhur me rastin Gazeta Express ka kontaktuar me kryetarin e Dragashit, Shaban Shabani, i cili tha se vdekja e vëllezërve Qafleshi është humbje e madhe.

“Para 3 ditësh ka ndërruar jetë njëri prej vëllezërve, tani pas dy ditësh vëllai tjetër. Ata kanë qenë duke u trajtuar në Spitalin Rajonal të Prizrenit, fatkeqësisht nuk e kanë përballu luftën me koronavirusin”, tha Shabani për Gazetën Express.

Tutje ai shtoi se gjendja me koronavirusin në komunën që udhëheq është stabile dhe po bëhet gjithçka për tejkalimin e kësaj situate.

Ndërkohë, komuna e Dragashit i ka dërguar telegram ngushëllimi familjes Qafleshi, me rastin e ndarjes nga jeta të dy vëllezërve.

“Me pikëllim të thellë e morëm lajmin e kobshëm për ndarjen e parakohshme nga jeta të vëllezërve nga Bellobradi, Shemsedin dhe Avdurrahim Qafleshi të prekur nga COVID-19. Ngushëllime të sinqerta familjes, miqve të të ndjerëve, shokëve dhe gjithë qytetarëve. Ju qoftë i lehtë dheu i Kosovës”, thuhet në telegramin e ngushëllimit e saj.

Sipas të dhënave të Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike, që nga fillimi i pandemisë në vendin tonë, numri total i rasteve pozitive është 15.938 raste nga 71.865 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 638 raste të vdekjes.

Ndërsa numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 14.143 raste, kurse numri i rasteve aktive është 1.157. /Gazeta Express/

Asnjë koment

Comments are closed.