Tre të lënduar rëndë në një aksident trafiku në Rahovec
Tre persona kanë pësuar lëndime të rënda trupore nga një aksident trafiku që ka ndodhur mbrëmë në fshatin Radostë të Rahovecit.
Këtë për Koha.net e ka konfirmuar zëdhënësja e Policisë për rajonin e Gjakovës, Lirije Podrimaj.
“Më 1 shtator Policia e Kosovës ka marrë një informatë për aksident në ora 21:30. Në Radoste të Rahovecit ka ndodhur një vetaksident dhe patrullat kanë dalë menjëherë në vendin e ngjarjes. Dyshohet se aksidenti ka ardhur për shkak se ngasësi s’iu ishte përshtatur kushteve dhe rrethanave të rrugës me ç’rast ka humbur kontrollin mbi automjetin e tij”, ka thënë ajo.
Podrimaj bën të ditur gjithashtu se të lënduarit janë familjarë, dhe kanë marrë trajtim mjekësor në Gjakovë dhe Prishtinë.
“Përveç dëmeve materiale në këtë aksident lëndime trupore kanë pësuar ngasësi dhe dy pasagjere, e me këtë rast është dëmtuar edhe një shtyllë elektrike. Të lënduarit janë dërguar për tretman mjekësor në spitalin rajonal “Isa Grezda” në Gjakovë, dhe janë hospitalizuar në repartin ortopedik ngasësi dhe vajza e tij, ndërsa bashkëshortja e ngasësit është dërguar në QKUK për shkak të lëndimeve të rënda. Sipas mjekëve ata janë jashtë rrezikut për jetë”, ka thënë Podrimaj./koha.net