18-12-2024

Trump zgjedh Richard Grenellin si të dërguar për misione të posaçme ndërkombëtare

Presidenti i zgjedhur i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump tha të shtunën se ka zgjedhur ish-shefin e tij të zbulimit Richard Grenell, si të dërguar presidencial për misione të posaçme, një post ku ai pritet të ndihmojë administratën e ardhshme që të përballet me disa nga sfidat më të vështira të politikës së jashtme.
Ric do të punojë për disa nga pikat më të nxehta në botë, përfshirë Venezuelën dhe Korenë e Veriut”, tha Trump në platformën e tij të mediave sociale Truth Social, pa dhënë më tej për përgjegjësitë e këtij pozicioni.

Një burim nga ekipi i tranzicionit i zotit Trump tha për agjencinë Reuters se zoti Grenell do të fokusohet gjithashtu tek tensionet në Ballkan.

Grenell reagoi në platformën X: “Të punosh në emër të popullit amerikan për Donald Trumpin është nderi më i madh i jetës. Presidenti Trump është dikush që u gjen zgjidhje problemeve, duke i mbajtur amerikanët të sigurt dhe të begatë. Kemi shumë punë për të bërë. Le të fillojmë punën”, u shpreh ai.

Gjatë mandatit të parë të zotit Trump, zoti Grenell shërbeu si ambasador në Gjermani, i dërguar i posaçëm presidencial për negociatat mes Serbisë dhe Kosovës, si edhe si Drejtor në detyrë i Zbulimit Kombëtar.

Ai ka qenë prej kohësh një nga këshilltarët e politikës së jashtme të Trump.

Pasi bëri fushatë intensive për zotin Trump për zgjedhjet e 5 nëntorit, Grenell ishte pretendent kryesor për postin e Sekretarit të Shtetit, por Trump emëroi senatorin Marco Rubio për atë post.

Ai u përmend gjithashtu si kandidat i mundshëm për pozicionin e të dërguarit të posaçëm për luftën në Ukrainë, por përfundimisht zoti Trump zgjodhi gjeneral lejtnantin në pension Keith Kellogg për atë detyrë.

Ai ishte i pranishëm kur Trump u takua me presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky në shtator. Grenell është shprehur në favor të një marrëveshjeje paqeje që do të ruante territorin e Ukrainës megjithatë do të lejonte “rajone autonome” ku Rusia mund të mbetet në kontroll./IO

Asnjë koment

Comments are closed.