U tallën me shëndetin e Erdoganit, 30 persona rrezikojnë të dënohen deri 4 vite burgim!
Drejtoria e Përgjithshme e Sigurisë e Turqisë njoftoi se janë ndërmarrë veprime ligjore kundër 30 personave që sajuan dhe propaganduan për shëndetin e presidentit Recep Tayyip Erdoğan, nën një hashtag në Twitter që tregonte se “Erdogan kishte vdekur”, njoftuan mediat turke.
Në Turqi po shtohen spekulimet për shëndetin e Erdoganit, 67 vjeç, i cili muajt e fundit është parë në publik duke ecur me vështirësi.
Pretendimet arritën pasi një video e presidentit u shpërnda të hënën në mbrëmje, ku shihet Erdogani duke ecur me vështirësi pasi pranoi urimet për Ditën e Republikës në pallatin e tij presidencial më 29 tetor, transmeton Indeksonline
Disa përdorues të mediave sociale pretenduan se Erdogan kishte vdekur nën hashtagun “ölmüş” (vdiq), pa një referencë të hapur për Erdoganin, i cili u bë një temë kryesore në trend në Tëitter turk.
Erdogan u pa për herë të fundit në publik të dielën, kur u takua me presidentin amerikan Joe Biden në margjinat e samitit të G20 në Romë.
Më pas ai anuloi pjesëmarrjen e tij të planifikuar në konferencën e klimës COP26 në Glasgoë, duke përmendur një mosmarrëveshje mbi protokollet e sigurisë.
Spekulimet e fundit duket se janë nxitur nga dështimi i Erdoganit për të marrë pjesë në një ceremoni të partisë së tij në pushtet, e cila të mërkurën festoi 19 vjetorin e ngritjes së saj në pushtet.
Kujtojmë se fyerja e presidentit është një krim në Turqi sipas nenit 299 të diskutueshëm të Kodit Penal të Turqisë (TCK). Kushdo që fyen presidentin mund të dënohet deri në katër vjet burg, dënim që mund të rritet nëse krimi është kryer përmes mjeteve të komunikimit masiv. /Indeksonline/