24-10-2020

Urdhër-arrest ndërkombëtar për Remzi Shalën që e kërkon Specialja

Gjykata Themelore në Prizren ka lëshuar një urdhër-arrest ndërkombëtar për ish-pjesëtarin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), Remzi Shala, i njohur me nofkën e luftës si “Molla e Kuqe”.

Shala kishte munguar në seancën e 9 janarit në Gjykatën Themelore Prizren në gjykimin rreth vrasjes së Haxhi Perteshit në vitin 1998.

Mungesa e tij e shtyri trupin gjykues që lëshojë urdhër që Shala të sillet me Polici në gjykatë.

Pasi që fillimisht gjyqtarja kishte lëshuar urdhëresë, për Policinë e Kosovës, që për Remzi Shalën të kërkojnë informacione shtesë për vendndodhjen e tij, Policia nuk kishte arritur ta gjente e as të siguronte informacione shtesë për vendndodhjen e tij.

Raima Elezi, gjyqtarja e rastit për Remzi Shalën, tashmë ka lëshuar letër-rreshtim vendor dhe letër-rreshtim ndërkombëtar, pasi që nga Policia e ka pasur të pamundur gjetjen e të akuzuarit Shala, raporton portali ‘Kallxo‘.

Kodi i procedurës penale thotë se “Letër-rreshtimi mund të urdhërohet kur i pandehuri gjendet në arrati, e kundër të cilit është filluar procedura penale”.

Gjithashtu Letër-rreshtimi ndërkombëtar mund të kërkohet në rastet kur personi i kërkuar nuk gjendet në Kosovë ose ka prova se personi banon jashtë Kosovës.

Remzi Shala, siç kishte raportuar Gazeta Express, në dhjetor kishte pranuar ftesë që më 17 janar të intervistohet në Hagë nga ana e prokurorëve të Gjykatës Speciale në Hagë dhe që nga ajo kohë ka humbur çdo kontakt nga avokati i tij.

Shala, në Kosovë, është duke u gjykuar për krime lufte në lidhje me rrëmbimin e vitit 1998 të Haxhi Perteshit nga Duhla e Suharekës, i cili pak ditë më vonë ishte gjetur i vdekur.

Asnjë koment

Comments are closed.