Urdhërarrest ndaj të akuzuarit që mungoi në seancën për vjedhje rryme në Rahovec
Mungesa e të akuzuarit për vjedhje të shërbimeve komunale, B. Kryeziu, ka bërë që të dështojë seanca e paraparë për të hënën në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec.
Gjykatësi Mizahir Shabani, tha se për të akuzuarin ka dërguar ftesë të rregullt, por ai nuk i është përgjigjur asaj.
Gjykatësi Shabani, ka thënë se seanca e radhës do të caktohet në muajt në vijim, dhe se sipas tij, palët tjera do të ftohen me ftesa të rregullta, ndërsa për të akuzuarin ka lëshuar urdhërarrest.
Në seancën e shqyrtimit fillestar, prokurorja Dëshire Jusaj kishte bërë rikualifikimin e aktakuzës sa i përket veprës penale me të cilën ngarkohej i akuzuari Kryeziu.
Prokurorja kishte thënë se në vend të veprës penale “shfrytëzim i paautorizuar i energjisë elektrike”, nga neni 61 paragraf 1 nënparagraf 1.2 të Ligjit për Energjinë Elektrike, duhet të jetë vepra penale “vjedhje e shërbimeve komunale”, nga neni 320 të KPRK-së, ndërsa pjesa tjetër e aktakuzës, sipas saj, mbetet e pandryshuar.
Ndryshe, Prokuroria Themelore në Gjakovë, ka ngritur aktakuzë më 15 janar 2018, ndaj Bajram Kryeziut, duke e ngarkuar atë me veprën penale “vjedhje e shërbimeve komunale”.
Sipas aktakuzës, i pandehuri nga data e pavërtetuar e deri më 07 tetor 2017, në shtëpinë e tij në fshatin Xërxe të Rahovecit, në mënyrë të kundërligjshme ka shfrytëzuar energjinë elektrike.
Në aktakuzë thuhet se për t’i sjell vetit përfitime pasurore të kundërligjshme, i njëjti përmes kabllos jashtë njehsorit elektrik është furnizuar me energji elektrike, gjendje kjo e konstatuar nga personat e autorizuat të KEDS-it, e me këtë veprim energjia e shpenzuar nuk është regjistruar, ku me këtë rast të dëmtuarës KEDS, i ka shkaktuar dëm material në vlere prej 203.86 euro. /BetimipërDrejtësi