03-11-2024

Vajzat nga Shqipëria që u martuan në Kosovë, tregojnë historitë e tyre të dashurisë

Shumë vajza nga Shqipëria dashurinë e jetës së tyre e kanë gjetur në Kosovë, duke u bërë kështu nuse kosovare.

Historitë e tyre të dashurisë janë nga më të ndryshme, dhe secila është me e veçantë se tjetra.

Dy prej këtyre historive janë prezantuara sot në RTV Dukagjini.

Bëhet fjalë për historitë e këngëtares Enkelejda Alushi Arifi dhe ish pjesëmarrëses në Miss Albania, Enkelejda Shatri.

Enkelejda Arifi ishte njohur me bashkëshortin në vitin 1991 ndërsa në vitin 1992 kanë bërë dasmën.

“Ka qenë dashuri me shikim të parë”, thotë Enkelejda Arifi e cila tregon edhe sfidat që ishin shfaqur ato vite pas ngjarjeve politike.

“Në një periudhë u shkëputëm pasi ishte koha kur të gjitha vajzat shqiptare që ishin martuar në Kosovë dëboheshin dhe automatikisht familjet prisheshin. Për punë orësh ne shpëtuam dhe kemi jetuar në një periudhë pesë vjeçare në Zvicër ku jemi kthyer në vitin 1999 dhe nuk kemi lëvizur nga Kosova”.

Ajo thotë se ndjehet e realizuar si persona pasi që ka marrë atë që ka dashur dhe sipas saj edhe po të kthente kohën do të vepronte në të njëjtën mënyrë pavarësisht kohëve të vështira që kanë kaluar.

Nga ana tjetër Enelajda Shatri thotë se edhe dashuria e saj ishte me shikim të parë, por “ më shumë për burrin”.

Ajo rrëfen se bashkëshortin e ka takuar në një lokal në Tiranë në kohën kur ky i fundit po vazhdonte studimet në Shqipëri për shkak të kohës së luftës në Kosovë.

“Në ditën e dytë që kishte ardhur në Shqipëri shokët e kanë marrë dhe e kanë sjellë në lokal. Ky duke biseduar me shokët u thotë “a keni gjetur ndonjë të dashur”. Ata i thonë jo “se këta janë rebelë” e gjera të tilla. Në atë moment unë po futesha në lokal dhe ai u thotë ” e shikoni atë bionden me flokë kaçurrele që po hynë në lokal. Atë do ta marr nuse unë”. Shokët i thonë “ ku të vjen ajo në Istog ty, nuk po na var fare këtu…” Kjo është e vërteta”, tregon historinë e saj me të dashurin nga Kosova, Enelajda Shatri.

Ajo thotë se ai ishte takimi i parë me djalin nga Istogu në vitin 1994 i cili kishte insistuar shumë dhe më pas ishin dashuruar.

“Babai im ishte atdhetar dhe nuk e kishte problem këtë lidhje. Për nënën i vetmi problem ishte largësia që kishim me Kosovën…Por dashuria dhe pasioni na ka sjellë këtu ku jemi sepse ne nuk kemi analizuar shumë ën atë kohë”.

Dy Enkelejdat që sot jetojnë të lumtura në Kosovë tregojnë se në kohën kur njohën të dashurit e tyre ishin vetëm 19 vjeçare.

Gjatë këtij emisioni, dy “nuset kosovare” që vijnë nga jugu i Shqipërisë, tregojnë edhe vështirësitë që kishin hasur me jetën e re në Kosovë.

Asnjë koment

Comments are closed.