25-04-2024

Vazhdoi dhënia e dëshmive ndaj ish-komandantit “Molla e Kuqe” i akuzuar për krime lufte

Në këtë seancë e vazhdoi dëshminë e tij Sejdi Përteshi, që është vëllau i të ndjerit Haxhi Përtrshi, si dhe në cilësinë e dëshmitarit u paraqit edhe Xhemajl Elshani, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në pyetjen e mbrojtësit të të akuzuarit Remzi Shala, avokatit Blerim Mazreku, se a keni kontribuar ju dhe familja në ndonjë formë në UÇK, dëshmitari Sejdi Përteshi deklaroi se katër djemtë e tij në Zvicër kanë dhënë nga 2000 euro secili për një periudhë prej 1-2 vitesh, ndërsa vetë ai deklaroi se i ka ndihmuar me gjëra ushqimore dhe dy djemtë tjerë kanë punuar në istikame të pika në Grajqevc.

Lexo edhe:

Opozita kritika të ashpra: Haskuka s’ka realizuar asnjë projekt kapital

Tutje dëshmitari deklaroi se nuk është takuar asnjëherë me Bajram Qatanin, por që asnjëherë nuk kanë pasur ndonjë të keqe me ta, po ashtu ai deklaroi se e ka njohur edhe babain e tij dhe se ka dëgjuar se atë e kanë ekzekutuar serbët.

Në lidhje me rrëmbimin që i ishte bërë, dëshmitari deklaroi se as ai e as Shaban Shukolli, nuk i kanë pyetur asgjë ushtarët se pse po i marrin.

Pas dhënies së dëshmisë nga Sejdi Përteshi, dëshminë e tij e dha dëshmitari tjetër Xhemjal Elshani.

Në fillim dëshmitari Elshani deklaroi se ka dhënë deklarata pranë prokurorisë së UNMIK-ut, EULEX-it, pranë prokurorisë speciale në Prishtinë dhe këtu në Gjykatën Themelor në Prizren dhe se mbetet pranë atyre deklaratave.

Ndërsa në lidhje me mbledhjen që ishte mbajtur në odën e Rifat Qatanit, dëshmitari tregoi se ai ishte i ulur ne oborrin e shtëpisë dhe  fëmijëve të tij i kanë thënë që t’i thonë babait të tyre, pra dëshmitarit në këtë rast, që të shkojë në atë mbledhje sepse është mbledhje me rëndësi.

Tutje dëshmitari deklaroi se pas përfundimit të mbledhjes, “Remzi Shala kishte pyetur se kush është Xhemajl Elshani dhe ka thënë se duhet të shkoj me ata”.

Më tej dëshmitari tha se “pastaj kemi pritur traktorin në fund të fshatit , kemi hipur në traktor dhe sa dolëm prej fshatit Remziu më ka thanë se kanë urdhër me mi lidh sytë dhe duart , pasi mi lidhi sytë Remziu me një shami të kuqe e duart me tel dhe vazhduam udhëtimin , kur arritëm në Grajqeve, Remziu më kapi për krahu dhe më zbriti prej traktorit më ka mëshuar me kondak të pushkës në pjesën e mollëzës në anën e majtë dhe shamia lëvizi prej syrit, atëherë më ka dërguar me një bunker”, tha dëshmitari.

Xhemajl Elshani ka rrëfyer rrugëtimin e tij nga Grejqevci për në Luzhnicë.

“Pastaj të nesërmen para agimit Remziu dhe Ferati qashtu i lidhur, më thanë të shkoj me ta nuk më treguan ku, Ferati ka ecur përpara e Remziu me pushkë pas, me ne ishte edhe një person me maskë i cili ka treguar rrugën prej Grejqevcit për me dalë në rrugë për Luzhnicë dhe si kemi filluar udhëtimin në këmbë prej Grejqevcit me duar dhe sytë lidhur, rrugës jam rrëzuar 5 – 6 herë, pasi rruga ka qenë plot me thera e papërshtatshme, Remziu tha ‘ po ti zgjidhim sytë por me bo me ik diku të vrajm ‘, tha dëshmitari.

Tutje dëshmitari tha se “pastaj ka ardhur një veturë, kemi hip në veturë kam kuptuar se është një pikap, kemi udhëtuar as 10 minuta deri në Luzhnicë në një oborr dhe më kanë kap përkrahu duke më thënë hajde ma shpejt dhe më kanë shtyrë për një lisë e pastaj më kanë futur në një ahur” tha dëshmitari Elshani.

Pasi që prokurori nuk pati pyetje të tjera, mbrojtësi i të akuzuarit avokati, Blerim Mazreku deklaroi se para fillimit të seancës ka parashtruar kërkesën për ndërprerjen e shqyrtimit kryesor për shkak të angazhimeve tjera  dhe kërkoi që shqyrtimi kryesor pas dite të mos vazhdon.

Po ashtu, avokati Mazreku, propozoi klientit të tij t’i ndërpritet masa e paraburgimit dhe e njëjta të zëvendësohet me masën e arrestit shtëpiak, pasi kanë pushuar të gjitha arsye ligjore që i mbrojturi i tij edhe më tutje të mbahet nën masën e paraburgimit.

Mirëpo një propozim të tillë e kundërshtuan prokurori i PSRK-së, Haki Gecaj dhe përfaqësuesi i palës së dëmtuar avokati Asdren Hoxha.

Pastaj trupi gjykues me kryetare Raima Elezin, morën vendim që propozimi i mbrojtjes të refuzohet.

Pasi që seanca e sotme u ndërpre, seancat e radhës u caktuan që të mbahen me 23, 24 dhe 25 nëntor, ku dëshmitë e tyre do t’i paraqesin Xhemajli Elshani, Xhafer Shukolli, Avdi Trolli dhe Emrush Guri.

Ndryshe, Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti për Krime të Rënda më 8 korrik 2019, kishte marr aktgjykim me të cilin të akuzuarin Shala e kishte shpallur fajtor për veprën penale krime lufte kundër popullatës civile duke u dënuar me 14 vite burg.

Por Gjykata e Apelit e ka ndryshuar aktgjykimin e shkallës së parë, duke ia zbritur dënimin në 10 vjet burgim.

Kërkesë për mbrojtje të ligjshmërisë në Gjykatë Supreme kishte parashtruar mbrojtësi i të akuzuarit, avokati Natal Bullakaj, ndërsa Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit kishte propozuar që kërkesa e mbrojtësit të të dënuarit të refuzohet si e pabazuar.

E Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës, në maj të këtij viti, e ka kthyer rastin në rivendosje.

Ish-komandanti i UÇK-së, i njohur si komandant “Molla e Kuqe”, akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), për vrasjen e një civili gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Shala akuzohet nga Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës se gjatë kohës së luftës në Kosovë, më 26 qershor 1998, duke vepruar si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), së bashku edhe me disa pjesëtarë tjerë të paidentifikuar, kanë marrë nga shtëpia e tij, viktimën Haxhi Përteshi.

Sipas aktakuzës, Remzi Shala, i cili ishte i vetmi pa maskë në kokë, së bashku edhe me 5-6 pjesëtarë tjerë të UÇK-së, të maskuar, nën dyshimin se i ndjeri ishte bashkëpunëtorë i forcave serbe, kanë shkuar në fshatin Duhël dhe të njëjtin e kanë dërguar në një vend të panjohur.

Në aktakuzë thuhet se djali i viktimës, Agron Përteshi, i kishte parë ata të largoheshin, së bashku me babanë e tij, në drejtim të fshatit Grajqevc dhe pas disa dite trupi i pajetë i të ndjerit ishte gjetur në afërsi të rrugës, afër qendrës së fshatit Duhël. /BetimipërDrejtësi

Asnjë koment

Comments are closed.