Vdes Riza Smaka
Në mëngjesin e sotëm ka vdekur profesori universitar dhe njohësi i të drejtës, Riza Smaka.
Lajmi u konfirmua nga anëtarë të familjes së tij, përmes njoftimeve në Facebook.
“Të qoft i lehtë dheu i Kosovës Dajë Riza Smaka”, ka shkruar një familjare.
Profesori i njohur ka qenë edhe deputet në Kuvendin e Republikës së Kosovës nga viti 2008 deri në vitin 2011.
Smaka ishte anëtar i Komisionit për hartimin e Kushtetutës së Republikës së Kosovës si dhe ishte njëri nga nënshkruesit e Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës.
Smaka ka lindur në Rugovë të Pejës, në vitin 1943. Diplomoi në Fakultetin Juridik më 1971, pastaj e kreu Provimin e Jurisprudencës , ku magjistroi më (1979 ) dhe doktoroi ( 1987 ).
Veç statusit si profesor universitar, profesori Smaka ka ushtruar edhe shumë funksione të tjera të larta shtetërore./Express/