18-04-2024

Vdiq Astrit Thaçi, asamblist i Rahovecit

Në moshën 41 vjeçare, ka ndërruar jetë Astrit Thaçi, këshilltari i Kuvendit Komunal të Rahovecit dhe afarist i njohur i kësaj ane.

Kryetari i Komunës së Rahovecit, Smajl Latifi në profilin e tij në facebook, ka shkruar:

“Me trazim shpirtëror e mësova lajmin për vdekjen e parakohshme të Astrit Thaçit, veprimtarit kontributdhënës, këshilltarit të Kuvendit Komunal dhe afaristit të suksesshëm.

Në këto momente pikëllimi e dhimbjeje, i shpreh ngushëllimet më të thella familjes Thaçi, shokëve, miqve dhe bashkëpunëtorëve të Astritit!

Familja humbi njeriun e dashur e të devotshëm, shoqëria njeriun e angazhuar, ndërsa ne humbëm mikun e aktivistin e denjë.

Njëkohësisht, ngushëllime të sinqerta edhe degës së PDK-së në Rahovec për humbjen e këtij anëtari të përkushtuar e besnik!

Kërkoj që të ndajmë së bashku këto momente dhimbjeje e pikëllimi dhe ta përcjellim së bashku Astritin në amshim, ashtu siç e meriton një familjar, shok, mik e bashkëpunëtor”,  ka shkruar Latifi.

Ndërkohë që edhe në rrjetet sociale, vazhdimisht po bëhen postime në të cilat pasi shprehet dhembje për vdekjen e Thaqit,  shprehen edhe ngushëllime për vdekjen e tij./GazetaePrizrenit.net/

Fotografia e Muharrem Morina

 

Asnjë koment

Comments are closed.