05-05-2024

Veliu: Ftohja e raporteve me Kurtin ndodhi kur e emëroi Sveçlën zëvendësministër timin

Nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu, ka folur për vendimin e sotëm të LDK-së për inicimin e mocionit të mosbesimit për Qeverinë Kurti dhe për votimin në kryesi.

Veliu ka thënë se ftohja e raporteve të tij me kryeministrin Kurti  ka ndodhur kur ai ka emëruar Xhelal Sveçlen zëvendësministër të tij dhe, sipas tij, krejt kontaktin me Ministrinë e Punëve të Brendshme e Kurti e ka bërë përmes Sveçlës.

Duke folur për takimin e sontëm të kryesisë, ai tha se ka kërkuar që çështja e shkarkimit të tij të mos jetë temë kryesore.

“Unë kam kërkuar që  hiqet nga tavolina e bisedimeve çështja e shkarkimit tim, por të diskutohet çështja e raporteve me SHBA-në, që kanë kërkuar heqjen e taksës”, tha Veliu, për T7.

Veliu, duke folur për shkarkimin e tij, ka thënë se Kurti ka gënjyer kur ka thënë se është konsultuar me kryetarin e partisë për shkarkimin e tij.

Ai ka folur edhe lidhur me votimin në kryesi për të iniciuar çështjen e mosbesimit për Qeverinë Kurti.

“Votimi ka qenë unanim, përveç Vjosa Osmanit e cila ka votuar kundër”, tha ai.

Më tej, Veliu tha se në situatën në të cilën ndodhet vendi ai është për një qeveri gjithpërfshirëse, në të cilën do të ishte edhe LVV e Albin Kurtit.

Asnjë koment

Comments are closed.