26-04-2024

Vërshimet shkaktuan dëme të konsiderueshme në Piranë e fshatrat përreth (Video)

Kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka dhe ministri në detyrë i Bujqësisë, Besian Mustafa, kanë vizituar të enjten bujqit e fshatit Piranë dhe Medvec, të cilët janë dëmtuar si pasojë e reshjeve të shumta të shiut dhe vërshimeve. Blegtori nga Pirana, Afrim Elshani, thotë të ketë përjetuar tmerr të paparë si pasojë e vërshimeve të djeshme, sepse uji që po depërtonte në pronën e tij dukej si lum i madh apo liqe, që ia mori jetën rreth 40 qengjave nga 120 sa ka ai, ndërsa thotë se mrekulllisht i kanë shpëtuar delet të cilat ishin në fushë duke kullotur.

Ai shpreson për ndihmë nga shteti. I dëmtuar nga të reshurat e shumta të ujit është edhe fermeri nga fshati Medvec, Shaban Krasniqi. Ai thotë se 80% e pronës së mbjellur me pjepër dhe shalqi në sipërfaqe 3.5 hektarë është dëmtuar tërësisht,dhe të paktën kërkon që institucionet të bëjnë kompensimin e shpenzimeve. Për të parë më afër dëmet dhe gjendjen në këto lokalitete të Përdrinisë, kishte dalur kryetari i Prizrenit, Mytaher Haskuka , drejtori i Bujqësisë Egzon Elshani dhe ministri në detyrë i Bujqësisë, Besian Mustafa, të cilët ishin në shoqërim të kuvendarit prizrenas, Qemal Krasniqi.

Kryetari Haskuka, tha se, komuna e Prizrenit tashmë ka krijuar një komision të përbashkët me Ministrinë, i cili ka filluar menjëherë punën për të evidentuar dhe vlerësuar këto dëme, në mënyrë që më pas të bëhet edhe kompensimi i tyre. Ndërkaq, ministri në detyrë i Bujqësisë, Besian Mustafa, tha se është evidente që dëmte janë të konsiderueshme, dhe se me 3 miliona euro nga rezervat për fatkeqësi të këtilla mund të mbulojnë kompensim të pjesërishëm. Për këtë arsye, do të kërkojmë që të miratohen vendime për rritje të buxhetit që t’u ndihmohet fermerëve.

Dëmet në bujqësi në komunën e Prizrenit si pasojë e reshjeve të shumta të shiut që shoqërohej edhe më breshër, më së shumti kanë goditur fermerët dhe blegtorët e zonës së Përdrinisë. /tv prizreni

Asnjë koment

Comments are closed.