Mbeturina të shumta kanë dalë në sipërfaqen e Liqenit të Vërmicës. Pothuajse e tërë sipërfaqja, e tij, duket kështu, deri në disa skaje edhe më keq, për shkak të “stacionimit” të shisheve të shumta dhe llojeve të tjera, që duket se kanë “bërë një kornizë të bardhë”.
Vërmica gjendet shumë afër kufirit me Shqipërinë, në jugperëndim të Prizrenit. Matanë ndodhet mali i Pashtrikut, ndërsa kombinimi i ujit, që tashmë ka mbushur tërë sipërfaqen e lumit, dhe pamjet pranverore të malit përbëjnë një atraksion të vërtetë.
Kjo pjesë e vendit, dhe pse ka bukuri natyrore, qytetarët vazhdojnë ta ndotin me mbeturina nga llojet më të ndryshme. Mbeturina vijnë edhe bashkë me ujin.
Edhe pse një pjesë e Malit të Pashtrikut dhe Liqenit të Vërmicës është vlerë e Mbrojtur e Natyrës në kategorinë e Parkut të Natyrës, duket se kjo pjesë pak kujt i intereson.
Kjo nuk është hera e parë, që paraqiten imazhe të tilla në këtë pjesë. Për të pastruar janë ndërmarrë edhe aksione, por megjithatë, pamjet me mbeturina të këtij liqeni “reprizohen” shpesh.