23-04-2024

Prizren: 22 persona aplikojnë për një vend në shëndetësi

Një interesim të madh kanë shfaqur punëtorët shëndetësore të Prizrenit, pasi rreth 250 persona kanë konkurruar për 11 pozitat e shpallura në konkursin e fundit në shëndetësinë primare, nga ana komunës, ndërsa përzgjedhja e kandidatëve është premtuar se nuk do të vonojë.

Nëse llogaritet një mesatare del se më shumë se 22 persona kanë konkurruar për një vend pune, raporton “GazetaePrizrenit.net”.

Drejtoresha për Shëndetësi, Flaka Siqeca, ka konfirmuar aplikimin e rreth 250 personave, ndonëse, numri i sakte i tyre do të dihet vetëm pasi që komisioni përzgjedhës t’i shqyrtojë të gjitha dokumentet e secilit kandidat, nëse ato janë konform kushteve të konkursit.

Në Konkursin që u mbyll me 8 maj janë të shpallur vende për stomatolog, farmacistë dhe infermierë të përgjithshëm. Nga 11 pozitat 4 vende janë për infermierë në shërbimin urgjent, tri në fshatrat Lubizhdë e qytetit, Lubinjë të Epërme dhe në Reqan. Po ashtu kërkohet edhe punëtor higjienik.

Përzgjedhja e kandidatëve është paraparë të bëhet përmes testit, që edhe do të jetë faza e parë e filtrimit. Sipas zyrtarëve, ata që marrin më shumë pikë, do të rangohen për t’u punësuar, e në rast të pikëve të barabarta, do të merren parasysh disa përparësi për grupe më të margjinalizuara, përfshirë edhe persona që kanë familjarë me nevoja të veçanta apo familjar të dëshmorëve.

Zyrtarët kanë premtuare se procesi i përzgjedhjes nuk do të neglizhohet dhe do të jetë transparent, duke përjashtuar ndonjë manipulim. /gazetaeprizrenit.net/

Asnjë koment

Comments are closed.