24-11-2024

Veseli: Të emëruarit politikë nga PDK-ja që kanë aktakuza për korrupsion ose nepotizëm t’i lirojnë funksionet

Kreu i PDK-së, Kadri Veseli, ka thënë sot se do t’i shkarkojë të gjithë funksionarët e partisë së tij, që kanë aktakuza për korrupsion dhe nepotizëm. Lista e të akuzuarve në PDK është e gjatë. Katër nga 11 të akuzuarit për aferën korruptive “Pronto”, janë zgjedhur anëtarë të Këshillit Drejtues të PDK-së. Veseli e ka të akuzuar për korrupsion këshilltarin e tij, Njazi Kryeziu, ministrin e Inovacionit, Besim Beqaj, dhe deputetin e partisë, Zenun Pajaziti. Listën e udhëheq Adem Grabovci.

Pak ditë pasi u zotua se do ta luftojë korrupsionin, Veseli sot tha se do t’i largojë nga sot të gjithë zyrtarët e PDK-së që kanë pozita partiake dhe institucionale e që kanë aktakuza nga institucionet e drejtësisë.

Para mediave, Veseli tha se të gjithë të akuzuarit do të lirohen nga detyra që nga sot.

“Së pari po fillojmë me veten, e pastaj këtë standard do ta shtrijmë në çdo segment. Sot, jam para jush, për të dëshmuar se jemi të vendosur në këtë betejë. Duke treguar përkushtimin tim dhe vizionin si Kryetar i Partisë Demokratike të Kosovës, kam vendosur që: Të emëruarit politikë nga radhët e PDK-së në institucionet publike të Kosovës, të cilët kanë aktakuza që ndërlidhen me dyshime për keqpërdorim të pozitës zyrtare, korrupsion, ose nepotizëm, t’i lirojnë funksionet menjëherë”, ka thënë Veseli.

Ai po thotë se PDK-ja nuk do të kandidojë persona që kanë aktakuza që ndërlidhen me dyshime për përdorim të pozitës zyrtare, korrupsion, ose nepotizëm, në asnjë pozitë publike.

Veseli, po ashtu, ka liruar nga detyra edhe të gjithë të zgjedhurit brenda strukturave drejtuese të PDK-së që kanë aktakuza të konfirmuara dhe ky pezullim i funksioneve të tyre, siç tha ai, vlen deri në aktgjykime.

Mirëpo, lista e atyre që, sipas Veselit, do të largohen nga pozitat në parti është e gjatë.

Pak ditë më parë, në këshill drejtues, PDK-ja ka zgjedhur, përveç Adem Grabovcit dhe Besim Beqajt, edhe këshilltarin e Veselit, Njazi Kryeziun, dhe deputetin e PDK-së, Zenun Pajazitin. Të katërt janë në mesin e 11 të akuzuarve për aferën Pronto.

Ish-shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ka marrë 323 vota, ndërsa ish-ministri i shumë qeverive, Besim Beqaj, që po ashtu është i akuzuar pas përgjimeve në rastin Pronto ka marrë 247 vota.

Në mesin e 11 të akuzuarve për aferën Pronto janë edhe këshilltari politik i Veselit, Njazi Kryeziu dhe deputeti Zenun Pajaziti. Edhe këta të dy janë zgjedhur në Këshill Drejtues. Kryeziu ka marrë 269 vota ndërsa Pajaziti ka marrë 322 vota. /Express/

Asnjë koment

Comments are closed.