16-04-2021

Veteranët mashtrues, veteranët e vërtetë dhe hienat kundër luftës çlirimtare!

Behxhet Sh. SHALA – BAJGORA dhe shokët e Fehmi dhe Xhevë Lladrovcit

Kush ha molla dhe kujt i mpihen dhëmbët: Pas bërjes publike të listave të ish- veteranëve të UÇK-së, e që dyshohen të jenë mashtrues, duke përfituar pamoralshëm dhe kundërligjshëm nga djersa dhe gjaku i veteranëve të vërtetë, për vite të tëra u shkaktua një rrëmujë e vërtetë kur doli se në ato lista ka ushtarë të devotshëm, sakrifikues, por edhe dëshmorë të UÇK-së.

Dikush, mbase, me të drejtë thotë se ky diversion në formë të mishmashit (veteranë të dyshuar si mashtrues dhe veteranë të vërtetë në të njëjtën listë) është bërë me qëllim që të mos sillen para përgjegjësisë penale ata që kontribuuan në fryrje të listave sikur edhe me qëllim të zhvendoset vëmendja kah zhvillimet aktuale që po e dëmtojnë vendin duke vënë në pyetje sakrificën dhe qëllimet për çka është bërë lufta dhe duke i rikthyer fuqishëm në lojë ata që e penguan luftën dhe që ishin në krahun jugosllav, serb dhe kundërshqiptar.

Komisioni qeveritar për verifikimin dhe njohjen e statusit të veteranit të luftës së UÇK-së, përveçse edhe zyrtarisht është akuzuar për shpërdorim të detyrës zyrtare, në të njëjtën kohë i është nënshtruar edhe një linçimi publik sikur të ishte i vetmi mekanizëm që bart përgjegjësi për sajimin e listave të veteranëve të dyshuar të jenë mashtrues. Realisht, përgjegjësia kryesore për fryrje të listave të veteranëve bie mbi komandantët e zonave operative, komandantë të brigadave dhe të nivelit më të ulët të komandimit e që kanë dërguar lista me emra të veteranëve, qofshin ata të vërtetë apo edhe mashtrues, tash në fazën e dyshimit.

Në të njëjtën kohë, po ky kuadër komandues, nga niveli më i lartë deri tek ai më i ulët, ka përgjegjësi dhe detyrim, moral dhe njerëzor, që t’i mbrojnë veteranët e vërtetë e që po përballen, pa të drejtë me një baltosje publike, si ata ashtu edhe familjet e tyre. Nuk mbahet mend që pas përfundimit të ndonjë lufte, ata që e bënë luftën t’i nënshtrohen një sulmi aq të paskrupullt dhe aq të ulët sa i nënshtrohen ish-ushtarët e së lavdishmes UÇK, shumica e të cilëve janë raste sociale dhe ky sulm u bëhet pikërisht nga ata që e penguan dhe sabotuan luftën dhe të cilët edhe vetë, pameritueshëm janë në listat e veteranëve, jo atyre që janë mashtrues, por të atyre të vërtetë. Nuk ka vend dhe shtet ku janë përndjekur më shumë luftëtarët që luftuan për liri se në Kosovë, si nga “drejtësia” ndërkombëtare, ajo e Serbisë, sikur edhe nga mbetjet e saj në Kosovë.

Nëse dikush e ka merituar t’i ngrihet aktakuzë për një fryrje enorme të ish-veteranëve të UÇK-së atëherë, përveç kuadrit komandues të të gjitha niveleve, në radhë të parë do të duhej t’i nënshtroheshin përgjegjësisë penale një pjesë e “elitës” politike të Kosovës që në mënyrën më të poshtër ka flirtuar me ata që e kanë sabotuar luftën duke i bërë, brenda natës veteranë të UÇK-së dhe, për turp, edhe heronj të kombit. Këta horra jo që nuk e shkrepën asnjë plumb në luftë, por mrizonin në Shqipëri me një uniformë të sajuar dhe bënin modeling nëpër hotele dhe improvizonin “stërvitje” ushtarake.

Deri dje ishin në radhët e Serbisë, kurse brenda nate u bënë më patriotë se Hasan Prishtina. U bënë veteranë ata që humbën jetën aksidentalisht me makinë apo që u helmuan me ujë të kontaminuar të një pusi. Lufta e fundit në Kosovë ishte imponim, po do të duhej të ishte detyrim për të gjithë sepse liria është e pandashme, ishte shprehje dhe ndërgjegje çlirimtare, ishte etje dhe uri për liri, ishte kusht për mbijetesë dhe histori e shkruar me djersë dhe gjak, ishte përpjekje që përmes së tashmes, ta ndërtojmë të ardhmen për fëmijët tanë, për pasardhësit tanë dhe për jetësimin e idealeve të atyre që sakrifikuan çdo gjë që e patën që nga Hasan Prishtina, Azem Bejta dhe Shotë Galica, Shaban Polluzha dhe Mehmet Gradica, Gjon Serreçi dhe Marie Shllaku, Imer Berisha dhe Fazli Grajçevci, Shaban Shala dhe Xheladin Rekaliu, Tahir dhe Nebih Meha, Abedin Rexha dhe Bekim Berisha, Bedri Shala dhe Agim Ramadani, Sali Çekaj dhe Remzi Ademaj, Shkelzen Haradinaj dhe Hakif Zejnullahu, Luan Haradinaj dhe Zahir Pajaziti, Fadil Vata dhe Edmond Hoxha, Ilaz Kodra dhe Fatime Hetemi dhe deri tek ushtarët e përjetshëm dhe të pavdekshëm të dy gjeneralëve të shqiptarisë, atij politik, Baca Adem Demaçi dhe atij ushtarak, komandantit legjendar Adem Jashari, përjetësia kombëtare, historike dhe heroike, Xhevë dhe Fehmi Lladrovci, me ushtarët e tjerë të lirisë si Rexhep Mala, Afrim Zhitia, vëllezërit Fazliu dhe heronjtë e tjerë që e flijuan jetën edhe të horrave që sot me aq zell, vullnet dhe sadizëm e sulmojnë UÇK-në dhe veteranët e vërtetë të saj. Mos të harroj këtu pa i përmendur edhe heronjtë më të rinj të Kosovës e që janë Hashim Thaçi dhe Behgjet Pacolli.

Po mos t’i përmendja, historia kurrë nuk do të më falte. Lavdia, nderimi dhe përjetësia u takon atyre që luftuan dhe u sakrifikuan për kombin dhe atdheun, kurse përbuzja dhe turpi atyre që e përbuzin luftën dhe sakrificën. Sa për Rugovën dhe një pjesë të LDK-së, kurrë nuk do të kishte luftë çlirimtare në Kosovë, as liri për Kosovën. Ata e shtrinë qafën dhe nuk kishin kurriz të qëndresës as gatishmëri edhe për sakrificën më të vogël. Sikur as majat dhe tatat e këtyre, që në emër të vlerave demokratike dhe lirisë së shprehjes nuk kanë lënë gjë pa bërë dhe nuk kanë lënë kujt pa iu nënshtruar apo pa iu lëshuar brekët. Lufta ishte e lavdishme, e paimagjinueshme, e papërsëritshme dhe përtej çdo imagjinate kundërshtuese ndaj Jugosllavisë dhe Serbisë. Duhet të bëhet një prerje e kohës se çka u bë gjatë luftës dhe çka u bë pas luftës?!

Tash këta që e penguan luftën dhe nuk kanë lënë kujt pa iu shërbyer dhe pa iu nënshtruar duke punuar kundër interesave të popullit që, për fat të keq, e flisnin gjuhën e tyre, por mendjen dhe shpirtin e kishin kundër kësaj gjuhe! Lufta nuk mund të përvetësohet dhe duhet të jesh i çmendur e të bësh përpjekje qoftë edhe alkimike që m… ta shndërrosh në barot. Për luftën dhe sakrificën që e kanë bërë, lavdi deri në qiell! Për disa veprime që i kanë bërë pas përfundimit të luftës, u shkoftë turpi deri në qiell!

Përjetësimi i dy kolosëve kombëtarë në Drenas: Sot në Drenas u përurua lapidari i dy kolosëve të kombit që me jetën dhe sakrificën e tyre e vulosën përjetësisht historinë e popullit shqiptar dhe luftën për liri, pavarësi dhe bashkim kombëtar, të Xhevë Krasniqi-Lladrovci dhe Fehmi Lladrovci. Si të padenjë që jemi për respektimin e vlerave kombëtare jemi vonuar shumë për ngritjen e kësaj përmendoreje të kujtimit për dy heronj që me aq lehtësi e sakrifikuan jetën, në shërbim të atdheut dhe kombit. Në një mënyrë a tjetër në këtë ceremoni inauguruese ishin shqiptarët nga të gjitha trojet shqiptare e që nënkupton se u bë një bashkim kombëtar. Kur është fjala te bashkimi kombëtar çasti më i mirë ishte zbulimi i lapidarit që, për çudi, nuk u bë nga politikanët tanë legjendarë, por nga fëmijët e atyre që e dhanë jetën e tyre për t’u bërë këta politikanë të tillë siç ndihen, politikanë legjendarë! Kjo më bëri përshtypje të jashtëzakonshme, ndërkaq ishte shumë pozitiv “demilitarizimi” apo çarmatosja e heronjve nga armatimi i rëndë sikur janë lapidarët e tjerë nga koha e socializmit realist. Xheva dhe Fehmiu janë monumentalë jo për shkak të madhësisë së lapidarit, por për shkak të sakrificës dhe veprave që lanë pas. Feha pak më përngjante në Fidel Kastron dhe Çe Gevarën në ditët e mira të tyre, por edhe ashtu dukej madhështor.

E ndieja për detyrim të jem aty për shkak të sakrificës së tyre dhe kohës së përbashkët të kaluar në llogoret e ish-Jugosllavisë. Ishim aty bashkë, Nuhi Llapqini, Dul Taraku, Tahir Zhidovi, Idrizi, Bejta, Binaku dhe shokë të tjerë, por se ishin larg politikanëve legjendarë që ishin kurdisur në rreshtat e parë bashkë, nacionalistë, lpkistë dhe komunistë të Titos. Më habiti fakti se nuk u gjet një karrige për Binak Dinajn, shok dhe bashkëluftëtar i Fehmiut dhe Xhevës, dhe i cili e la dorën në betejën e Loxhës, kur dezertorët e kolonelit ia mbathën për Shqipëri pasi e siguruan korridorin e lirë për tërheqje, duke e lënë Ramushin me afërsisht 30 ushtarë e që disa prej tyre, prokurori Blakaj i ka futur në listën e hetimeve si veteranë mashtrues. Pas përurimit të lapidarit, si e do rendi dhe zakoni në skenë dolën politikanët tanë legjendarë që i lexonin fjalimet kryesisht të shkruar nga të tjerët.

Ana tjetër e medaljes heroike të Behgjet Pacollit, Shkëlqesia Hashim, e bëri një pelegrinazh parapolitik duke i bashkuar të gjitha trojet shqiptare. Fiksion i është bërë Lugina e Preshevës sikur që Lugina e Silikonit ishte fiksion i Bill Gejtsit. Derisa nga Bill Gejtsi përfitoi e tërë bota, nga Hashimi mund të përfitojë Behgjeti dhe hajdutët dhe llaskuçët rreth Hashimit. Kurse këta të Luginës së Preshevës e që moti janë bashkuar me Kosovën sepse jetojnë dhe punojnë në Kosovë që nga përfundimi i luftës e disa edhe më herët do të fitojnë të trashët e surrzlës e që unë e përkthej në të trashët e Hashimit. Do të binden këta sikur edhe ne, besoj shumë shpejt.

Të gjithë folën fjalë të zgjedhura për Xhevë dhe Fehmi Lladrovcin, por më shumë folën për veten e tyre se si janë të nderuar dhe privilegjuar që e kanë njohur, bashkëpunuar dhe disa, besa edhe paskan luftuar me Xhevë dhe Fehmi Lladrovcin. Nuk ka shumë kohë që kaloi në përjetësi komandanti politik i Fehmi dhe Xhevë Lladrovci, Baca Adem Demaçi. Të gjithë që i kanë njohur Fehën dhe Xhevën dhe ata që kanë qenë një minutë të vetme me ta e dinë se Fehmiu dhe Xheva kanë qenë në gjendje që në çdo kohë të shkrihen për bacën Adem dhe se vetëm atë e kanë pranuar si autoritet politik sikur që komandantin legjendar Adem Jasharin e kanë pranuar si autoritet ushtarak. Askush në fjalimet e shkruara nga të tjerët nuk e zunë në gojë emrin e Bacës Adem, sigurisht nga turpi dhe brejtja e ndërgjegjes për atë që e kanë bërë dhe disa prej tyre po e bëjnë edhe sot duke shkelur mbi gjakun e dëshmorëve në përgjithësi kurse, në rastin konkret, mbi gjakun dhe sakrificën e Xhevë Krasniqi-Lladrovci dhe Fehmi Lladrovci.

Është kohë e shkurtër për ta harruar një bjeshkë njerëzore, kombëtare, morale dhe politike siç është Baca Adem Demaçi. Ata që e kanë ndjenjën e paturpit nuk e bëjnë këtë me qëllim dhe nëse gabojnë, e përmirësojnë gabimin, kurse injorantët dhe të mjerët, me rroba Prada, syze Guçi, puro Davidoff, brekë Luj Viton e që nuk u kanë mbetur koç… as për brekushe Made in China, me sadizëm e bëjnë këtë apo siç thotë Niçe, ta mbysë Zotin e të bëhem vetë Zoti! Në këtë manifestim me interes kombëtar duket se mungoi opozita, e sidomos “krahu i luftës” në krye me komandant Dullën. Edhe heronjtë i kemi ndarë, vetëm hajnia dhe e keqja po na bashkon.
Lavdi heronjve të vërtetë të kombit shqiptar, Xhevë dhe Fehmi Lladrovci dhe kujtim i përjetshëm për mësuesin e tyre politik, të Madhin Bacë Adem Demaçi, si dhe komandantin ushtarak, komandantin legjendar Adem Jashari.

Asnjë koment

Comments are closed.