10-10-2024

VETËVENDOSJA s’ka qëndrim zyrtar rreth anulimit të konkursit për drejtorët në Prizren

Subjekti që drejton qeverisjen lokale në Prizren, VETËVENDOSJE! ende nuk ka ndonjë qëndrim zyrtar pas anulimit një ditë më parë të konkursit për drejtorë dhe zëvendësdrejtorë, transmeton ‘gazetaeprizrenit.net’.

I pyetur për çështjen e anulimit të konkursit, kryesuesi i KK-së, Artani Abrashi, që njëherësh është kryetar i Qendrës së VV-së në Prizren,  tha se Qendra nuk ka qëndrim zyrtar.

“Ende nuk është mbledhur kryesia e VETËVENDOSJES”, ka thënë ai shkurt për portalin “gazetaeprizrenit.net”.

Ndërkaq burime nga ku subjekt, me kusht anonimiteti, kanë thënë se ka disa zëra të cilët janë kundër anulimit të tërësishëm të konkursit.

Ndryshe, VV nuk ka pasur qëndrim zyrtar as pas përzgjedhjes së emrave për drejtorë, të cilët një javë më parë i janë dërguar kreut të Komunës, Mytaher Haskuka.

Haskuka, ndërkaq gjendet për një vizitë në qytetin e Osijekut të Kroacisë.

Deklarimet e anëtarëve të VETËVENDOSJES në Prizren, përfshirë edhe ato të anëtarëve të saj në Kuvendin Komunal (KK), në të cilat shprehet pakënaqësi për emrat e propozuar për drejtorë, në të cilat është kritikuar edhe partnerit i tyre në qeverisjen lokale, Nisma, drejtuesit e VV-së i patën vlerësuar si qëndrime personale e jo zyrtare.

Derisa VV nuk ka qëndrim zyrtar, për një proces kaq të rëndësishëm në fushën arsimit, ndaj një veprimi të tillë zyrtarisht ka reaguar Nisma Socialdemokrate në Prizren, që sipas marrëveshjes së koalicionit udhëheq me drejtorinë komunale të Arsimit.

Anulimin e konkursit nga Haskuka, Nisma e ka vlerësuar si të ngutshëm dhe të ndikuar nga njerëzit rreth tij. “Pasi komisioni i ka vlerësuar kandidatët, anulimi është i njëanshëm dhe joligjor, ku e tejkalon autoritetin e kryetarit”, thuhej në deklaratën e zyrës për informim të degës në Prizren.

Hiq deklarimet e kuvendarëve të saj, në seancën e djeshme të KK-së, një qëndrim zyrtar, rreth procesit të përfolur të përzgjedhjes së drejtorëve dhe anulimit të konkursit nuk ka as nga partia më e madhe opozitare në Prizren, PDK./gazetaeprizrenit.net/

Asnjë koment

Comments are closed.