11-05-2024

Vetëvendosje ia refuzoi propozimin e fundit LDK-së: Partia e Isa Mustafës i thotë Kurtit le ta harroj postin e kryeministrit

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka thënë se LVV do ta humbte një mundësi të madhe nëse refuzon ofertën e LDK-së.

Abdixhiku, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini, ka thënë se ditën kur është zgjedhur Glauk Konjufca kryetar i parlamentit Vetëvendosje i shkaktoi një plagë të madhe besueshmërisë së LDK-së.

Ai thotë se deputetët e PDK-së e dinin para tyre se Vetëvendosje do të propozonte Glauk Konjufcën për kryetar të Kuvendit.

Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) thotë se Vetëvendosje kur vendosi të ecë njëanshëm nuk e ka pasur më LDK-në në krahë.

“Ne kemi humbur shumë në entuziazmin publik që duhet të ishin 100 ditët e para të një qeverie të shpresës”.

Abdixhiku ka thënë se refuzimi i Vetëvendosjes ndaj ofertës së LDK-së do të ishte një humbje e madhe e mundësisë për të bashkëpunuar.

“Vetëvendosje nëse e refuzon këtë ofertë jo vetëm që do të humb mundësinë e kryeministrit por e humb edhe një partnerë që një kohë të gjatë e kanë ndërtuar gjatë kohës së qëndrimit në opozitë”, tha ndër tjera Lumir Abdixhiku.

Dy deputetët e Vetëvendosjes, Albulena Haxhiu e Liburn Aliu, e kanë quajtur tallje propozimin e fundit të LDK-së që kjo parti të marrë kryeparlamentarin deri në kohën kur të zgjidhet presidenti i ri.

Sipas tyre, ky është propozim i dëmshëm. Ata kanë thënë se nuk mund të shkarkohet Glauk Konjufca i VV-së nga posti i kryeparlamentarit “sepse ai ka marrë votat e deputetëve”.

“Meqenëse kemi mbërri këtu ku s’kemi dëshiruar, pas gjithë përpjekjeve që të bëjmë marrëveshje për kryeparlamentar e s’kemi arritur e u votua me votat e deputetëve e s’do të ishte mirë që dy persona të ulen e të shkarkojnë një person që ka marrë votat, do të ishte e dëmshme të bëjmë shkelje, një tërheqje. Po ulen dy përfaqësues, kryetarë partish për të shkarkuar një person të votuar”, ka thënë Aliu në Rubikon të KTV-së.

“Andaj po bëjmë propozim të dëmshëm. Po marrim vet përgjegjësinë, po e rrisim numrin e ministrive në 14. Më e rëndë është çështja e kthimit të votës së deputetëve sesa ndryshimi i atij vendimit për 12 ministri”.

Asnjë koment

Comments are closed.