10-01-2025

Vetura e Policisë në Prizren u aksidentua duke ndjekur grabitësit, arrijnë t’i kapin të gjithë

Grupi i dyshuar për rastet e grabitjes dhe tentim grabitjes për dy ditë me radhë në Prizren ka rënë në prangat e Policisë, si rezultat i veprimeve hetimorë të ndërmarra që çuan në identifikimin e të dyshuarve. Katër persona të moshës së mitur u arrestuan dhe të njëjtit u dërguan në mbajtje, raporton Gazeta Sinjali.

Policia ka siguruar prova të mjaftueshme se të miturit më 7 dhe 8 janar janë përfshirë në rastet tentim grabitje dhe grabitje, ku kanë arritur që përmes forcës të përfitojnë para të gatshme nga viktima.

Sinjali ka mësuar se të dyshuarit janë I.B., E.Z., F.Z., dhe B.M., të cilët e kanë pranuar që kanë kryer veprat në fjalë, ndërsa janë edhe dy të dyshuar fëmijë, të moshës nën 14 vjeç.

Burimet e Sinjalit kanë bërë me dije se pasi gjatë aksionit të Policisë për t’i kapur të dyshuarit, një veturë e Policisë është aksidentuar.

Sinjali ka publikuar mbrëmë pamje nga vetaksidenti, ku shihet se si vetura e Policisë është përplasur në një mur, por që fatmirësisht s’ka persona të lënduar – përveç dëmeve materiale.

Lidhur me rastin, Prokurori i Shtetit ndaj katër të dyshuarve ka urdhëruar masën e ndalimit për 24 orë dhe ndaj tyre do të ngritet kallëzim penal për ‘’Grabitje’’ dhe “Tentim Grabitje”.

Asnjë koment

Comments are closed.