Vrasja e çiftit në Prizren, djali i tyre në arrati që 20 ditë
Ende nuk dihet asnjë detaj shtesë për vrasjen e Durim dhe Suada Hadrit, çiftit që u gjetën të vdekur javë më parë në shtëpinë e tyre në Prizren, dy ditë pasi që kishin ardhur nga Suedia për pushime.
Sipas Prokurorisë Themelore në Prizren, rasti në fjalë është ende në fazën e hetimeve, e se janë duke grumbulluar informacionet e nevojshme.
“Prokuroria Themelore në Prizren, ju njofton se lidhur me rastin e vrasjes së ndodhur me datë 22.01.2020 në lagjen “Ortakoll” në Prizren, Prokuroria është akoma në fazën e hetimit dhe grumbullimit të informacioneve të nevojshme, për zbardhjen e plotë të rastit”, ka deklaruar për Gazetën Express, Fitore Mehmeti zëdhënëse për informim në Prokurorinë e Prizrenit.
Prokuroria nuk ka bërë të ditur nëse kanë rënë në gjurmë të djalit të çiftit, A.H, 35-vjeç, i cili po kërkohej në mënyrë që të zbardheshin detaje të rastit.
Organet e rendit kishin deklaruar se dyshohet se A.H, mund të ketë kaluar kufirin me Maqedoninë e Veriut për të shkuar pastaj në Greqi. Deri më tani nuk kanë informacione të reja për vendodhjen e tij.
“Në bazë të informatave të siguruara nga ana e policisë, dyshohet se i njëjti ka kaluar kufirin me Maqedoninë e Veriut dhe pastaj ka vajtur në Greqi. Prokuroria është në kërkim të personit në fjalë dhe në momentin që organet e ndjekjes arrijnë ta sigurojnë prezencën e tij, atëherë do të veprojë konform dispozitave ligjore deri në vërtetimin e plotë të gjendjes faktike dhe sqarimit të të gjitha rrethanave të cilat janë relevante mbi zbardhjen e këtij rasti”, kishin deklaruar nga prokuroria për Express.
Durim dhe Suada Hadri jetonin në Suedi që disa vite, ndërsa në Kosovë kishin ardhur për pushime.
Ata u qëlluan për vdekje në shtëpinë e tyre në Ortakoll të Prizrenit. Sipas policisë, afër trupave të tyre ishin gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me pesë fishekë, një kuti me 49 fishekë dhe dy gëzhoja./GazetaExpress/